Kadri Kryeziu paralajmëron Gjykatën Kushtetuese: “Mos nxitni revoltë popullore, nuk do të gjeni vrimë për t’u fshehur”
Ish-deputeti dhe një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur të papranueshëm dhe të rrezikshëm për shtetin.
Në një postim në Facebook, ai ka bërë krahasime historike, ka theksuar se interpretimin autentik e bëjnë vetëm hartuesit e Kushtetutës dhe ka paralajmëruar për pasoja të rënda nëse, sipas tij, tentohet të cenohet “shtylla kurrizore e shtetit”.
Krahasimi me 1989
“Kjo situatë më kujton 23 marsin 1989, kur Kurtesh Saliu me shokë thoshte se nuk do të humbim asgjë, por vetëm Serbia do të bëhet e barabartë me republikat tjera. Edhe sot naivët thonë se kjo gjë është e parëndësishme, se serbëve u takon kjo gjë dhe se nuk do të humbim asgjë”, shkruan ai.
Ne hartuesit jemi gjallë, interpretimin e bëjmë ne” .
Kryeziu thekson se Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të interpretojë mbi ata që e kanë hartuar Kushtetutën.
“Ne hartuesit e kushtetutës jemi gjallë, nuk kemi vdekur, nuk munden këta 7 gjykatës ta dinë më mirë çka kemi shkru ne, sepse interpretimin autentik e bëjmë ne dhe jo ata”, deklaron ai.
Paralajmërim për revoltë popullore
Ai u bën thirrje gjyqtarëve të kenë kujdes dhe të mos nxisin revoltë popullore.
Nuk është Gjykata Kushtetuese përmbi Kosovën. Mos nxitni revoltë popullore sepse nuk do të gjeni vrimë për t’u fshehur”, paralajmëroi Kryeziu.
Kujtesë nga viti 1981 Kryeziu përkujtoi se ishte ai që më 11 mars 1981 dha kushtrimin e njohur:
“Mos harroni që jam po i njëjti që atë ditë, kur Jugosllavia ishte superfuqi, thashë: ‘Kushtetutë Republikë o me hatër o me luftë’. Ky kushtrim e nisi procesin e shembjes së Jugosllavisë.” “Kam miq përtej oqeanit, nuk jam vetëm” .
Në fund, Kryeziu thekson se nuk është i vetëm në këtë qëndrim dhe se ka mbështetje të fuqishme brenda dhe jashtë vendit.
Kam miq e bashkëpunëtorë edhe përtej oqeanit, njerëz me shumë ndikim që e duan popullin tonë. Përreth kam djemtë dhe vajzat më të mira të këtij populli, mendjet më të ndritura dhe zemrat më të guximshme që nuk ngurrojnë të sakrifikohen për atdhe. Nuk po bajmë hajgare”, përfundon ai.
⸻
Postimi i plotë i Kadri Kryeziut nga Facebook
Po njësoj si me 23 mars 1989 kur Kurtesh Saliu me shokë thoshte që nuk do të humbim asgjë, por vetëm Serbia do të bëhet e barabartë me republikat tjera, edhe tani naivët janë vërsulur duke thënë që kjo gjë është e parëndësishme, se serbëve u takon kjo gjë dhe që ne nuk do të humbim asgjë prej kësaj pune. Nuk kemi shkruar ne kushtetutë ku serbët janë ortaku i madh në shtet, ku serbët kanë super deputetë pa praninë e të cilëve nuk ka kuptim prania e 100 deputetëve shqiptarë. Ne hartuesit e kushtetutës jemi gjallë, nuk kemi vdekur, nuk munden këta 7 gjykatës ta dinë më mirë çka kemi shkru ne në Kushtetutë, sepse interpretimin autentik e bëjmë ne hartuesit dhe jo ata. Atyre ju them, keni kujdes, mblidhne mendjen, vëjani gishtin kokës sepse nuk do ju lejojmë ta thyeni shtyllën kurrizore të këtij shteti. Nuk është Gjykata Kushtetuese përmbi Kosovën. Mos nxitni revoltë popullore sepse nuk do të gjeni vrimë për t’u fshehur. Mos harroni që jam po i njejti që me 11 mars 1981, në ditën kur Jugosllavia ishte superfuqi, e kam lëshu kushtrimin “Kushtetutë Republikë o me hatër o me luftë”. Mos harroni që ky kushtrim e ka nis procesin e shembjes së Jugosllavisë. Jam po i njejti dhe, kur është fjala për çështje me interes kritik e vital për atdheun, nuk flas pa i menduar e analizuar gjërat një milion herë dhe pa qenë i bindur se gjallë a vdekur çështjes do t’i shkoj deri në fund. E përfaqësoj vetëm veten time, por nuk jam vetëm. Kam miq e bashkëpunëtorë edhe përtej oqeanit, njerëz me shumë ndikim e që duan popullin tonë pikërisht për shkak të sakrificës tonë për liri e pavarësi. Përreth vetes kam djemtë dhe vajzat më të mira të këtij populli, mendjet më të ndritura dhe zemrat më të guximshme që nuk ngurrojnë të sakrifikohen për atdhe. Nuk po bajmë hajgare…