OPINIONTË FUNDIT

VV-ja: Kushtetuesja mbajti anë me masën e përkohshme

Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar mbajtje ane dhe në kundërshtim me funksionalizimin e Kuvendit vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe.

Gjykata Kushtetuese njoftoi të premten se ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, me të cilën ndalon çdo veprim të deputetëve për formimin e Qeverisë. Lista Serbe pati kërkuar që Gjykata ta shpallë kundërkushtetuese zgjedhjen e Emilja Rexhepit nënkryetare nga grupi multietnik dhe ta urdhërojë kryeparlamentarin që ta përsërisë votimin e zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga komunitetet, në një procedurë të përbashkët.

“Gjykata Kushtetuese pezulloi Kuvendin për 25 ditë për ankesën e Listës Serbe. Sot Gjykata Kushtetuese mori vendim për masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe. Çdokush do të pyeste me të drejtë pse u pa e nevojshme kjo masë e pse i nevojitet Gjykatës Kushtetuese 25 ditë pezullim i punës së Kuvendit pas një kërkesë të Listës Serbe? Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, thuhet në reagimin e VV-së.

Vetëvendosje ka thënë se me këtë pauzë numri i ditëve të pritjes së vendimeve të Kushtetueses po shkon në 112.

Kjo parti ka thënë se çdo interpretim që çon në drejtim të dhënies së ekskluzivitetit për propozim dhe zgjedhje të nënkryetarit nga radhët e Listës Serbe, do t’ia mundësonte kësaj partie të drejtën e vetos.

“Në tekstin prej 15 faqesh që Gjykata ka përgatitur për të përmbledhur faktet dhe arsyetimin e masës është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së Nënkryetarit. Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe. Kjo parti, dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, përfundon reagimi i VV-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *