OPINIONTË FUNDIT

Liturgjia e korrupsionit: Kadriu bie pa parashutë, Hashimi ecën mbi akull, Klinaku shumëzon traktorë

Në vend të shenjtorëve, Kosova po prodhon “superheronj” të korrupsionit: Kadriu që hidhet nga avioni pa parashutë dhe bie mbi jastëkun e oligarkëve, Hashimi që ecën mbi akull me “ngjitësin e interesave të fshehta” duke mos rrëshqitur kurrë nga pushteti, dhe Klinaku që shumëzon traktorin e tij deri në miliona euro si një algebra patriotike. Mrekulli të tilla, sipas autorit, nuk janë të qiellit, por të laboratorëve të djallit – përzierje e politikës me mashtrim, hajni dhe hipokrizi.

Më poshtë, sjellim të plotë satirën e Lirim Gashit, të publikuar në profilin e tij në Facebook:

LITURGJIA E MREKULLIVE KOSOVARE

ImageAutor : Lirim Gashi
Kadriu sipas Batonit hidhej sa herë që donte nga avioni pa parashutë, Hashimit sipas një proleteri drenicak i ngjiteshin çizmet për këmbë me ngjitës akulli, ndërsa ish-kryetarit të OVL-së Faton Klinakut, i shumëzohej traktori 30 herë përmes mrekullisë së natyrës, kështu që nga 100.000 euro e arrinte vlerën 3 milionë euro.

Çfarë janë këto mrekulli që ndodhin në Kosovë, të cilat Vatikani jo vetëm që nuk i përfshiu në mrekullitë e Zotit, por as që i vërejti, megjithëse ka shërbimin sekret më të mirë në botë?

Kadriu, sipas Batonit, nuk kishte nevojë për parashutë – ai u hodh nga avioni si një gur morali, dhe ra direkt mbi tokën e korrupsionit, e cila ishte aq e butë sa një jastëk me pupla oligarkësh.

Hashimi, sipas një proleteri të Drenicës, e kishte shpikur një shkencë të re të ecjes mbi akull: çizmet i kishte ngjitur me “super ngjitës akulli” të interesave të fshehta, dhe kështu asnjëherë nuk rrëshqiste nga pushteti, sado që populli e frynte me uraganë zemërimi.

Ndërsa Faton Klinaku, me traktorin e tij, bëri matematikën e vet hyjnore: 1 traktor = 30 traktora = 3 milionë euro. Një ekuacion që as Pitagora s’do ta kishte guxuar ta shkruante në dërrasën e zezë, por që në Kosovë llogaritet si “shkencë e përparimit patriotik”.

Dhe këto quhen mrekullitë tona kombëtare:

▶︎ Mrekullia e hedhjes së Kadriut pa parashutë.

▶︎ Mrekullia e akullit që e ngjet pushtetin për çizmet e Hashimit, më fort se kushtetuta.

▶︎ Mrekullia e traktorit të Avni Klinakut, që pjell traktorë si lepurushja lepuj.

Vatikani, me gjithë shërbimin e tij sekret më të mirë në botë, nuk i regjistroi këto mrekulli. Dhe ka të drejtë: këto nuk janë mrekulli të Zotit, por laboratorë të djallit që e përzien politikën me filozofinë e mashtrimit, etikën e hajnisë dhe moralin e hipokrizisë.

Në vend të shenjtorëve, Kosova po prodhon “superheronj” që bien nga qielli, që ecin mbi akull dhe që shumëzojnë traktorë – por jo për të ndërtuar parajsën, por vetëm për ta betonuar ferrin ku ne jetojmë.

✍️ Ky shkrim është marrë nga profili personal i autorit Lirim Gashi në Facebook. Përmbajtja është satirë/opinion dhe i përket autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *