Kurti: Nënë Tereza paraqet shembullin më sipëror ndër ne
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook jetën dhe veprën e Nënë Terezës, në 28-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta. Në fjalët e tij, Kurti e ka cilësuar humanisten shqiptare si një nga figurat më të ndritura që ka nxjerrë kombi ynë dhe një simbol universal të dashurisë dhe mëshirës për të varfrit.
“Nënë Tereza paraqet shembullin më sipëror ndër ne, të përpjekjes së njeriut për ta ruajtur humanitetin ndër njerëz,” shkruan Kurti, duke nënvizuar rëndësinë e përjetshme të trashëgimisë së saj humane dhe shpirtërore.
Në postimin e tij, Kurti rikujton se Nënë Tereza, e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup si Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, filloi rrugëtimin e saj fetar dhe humanitar si murgeshë e urdhrit Motrat e Loretos, për të themeluar më pas kongregacionin Misionaret e Bamirësisë në vitin 1950 – një organizatë që shërbeu ndër më të varfrit e botës, kryesisht në Indi.
Veprimtaria e saj e jashtëzakonshme e bëri atë të njohur në tërë botën, duke fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, një nder që e shndërroi edhe më tej në simbol të paqes dhe dashurisë. Pas vdekjes më 5 shtator 1997, Vatikani e shpalli të lum të Kishës në vitin 2003, ndërsa në vitin 2016 u kanonizua si shenjtore nga Papa Françesku me emrin Shën Tereza e Kalkutës.
Kurti përmbyll postimin me theksin se, edhe pas gati tri dekadash nga largimi i saj fizik, bota vazhdon ta nderojë figurën e Nënë Terezës, sepse virtytet për të cilat ajo qëndroi janë të përjetshme dhe pa kufi.
Në këtë ditë përkujtimore, institucionet dhe qytetarët në Kosovë dhe më gjerë kujtojnë me respekt jetën e një gruaje që mbeti model i përulësisë, shërbimit dhe dashurisë pa kushte – një shqiptare që preku zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën.