Uncategorized

“Kombëtarja e Kosovës”: Dhuna simbolike mbi kombin shqiptar

Në diskursin politik dhe sportiv të fundit është përhapur shprehja “Kombëtarja e Kosovës”. Ky term, i paraqitur shpesh si i natyrshëm dhe i vetëkuptueshëm, në fakt ngërthen një kundërthënie konceptuale dhe një sforcim politik.

Në traditën klasike të kombeve moderne, një kombëtare përfaqëson një komb, pra një komunitet që ndërtohet mbi bazën e gjuhës, kulturës, historisë dhe identitetit të përbashkët. Ja për shembull: kombi gjerman ka kombëtaren gjermane, kombi norvegjez ka kombëtaren norvegjeze, kombi italian atë italiane, kombi francez atë franceze. Por në rastin tonë, pra të Kosovës, pyetja thelbësore është: cili është ai komb që përfaqëson e ashtuquajtura “kombëtare kosovare”?

Kosova si shtet është shumëkulturore: aty jetojnë shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, romë, ashkali e të tjerë. Por, shumica dërrmuese e popullsisë është shqiptare (93%) dhe identiteti i tyre kombëtar është qartësisht shqiptar, jo “kosovar”. Prandaj, koncepti “komb i Kosovës” është i papërkrahur në fakte historike e etno-kulturore, dhe mbështetet më tepër në projeksione politike ndërkombëtare sesa në realitetin e vetë shoqërisë sonë.

Këtu hyn në lojë një problem më i gjerë, ai teorik: dallimi midis kombit dhe shtetit. Kombi është një kategori e ndërtuar mbi vetëdijen kulturore e historike; pra është një komunitet, siq e thashë më sipër, që ndërtohet mbi bazën e gjuhës, kulturës, historisë dhe identitetit të përbashkët (çfarë kanë të përbashkët shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe serbët, hë më thuani?)

Ndërsa shteti është një entitet juridik-politik i pranuar ndërkombëtarisht. Duke u nisur nga kjo, Kosova është shtet i pavarur, por nuk është “komb” më vete. Nëse sporti i organizuar nën emrin e Kosovës legjitimohet si shtetëror, ai nuk mund të quhet njëkohësisht “kombëtar” pa deformuar vetë kuptimin e termit.

Dhuna simbolike dhe inxhinieria identitare

Prandaj, “Kombëtarja e Kosovës” është më tepër një produkt i diplomacisë ndërkombëtare dhe i kompromisit me zor politik, sesa një pasqyrim i natyrshëm i identitetit kombëtar të qytetarëve të saj.

Ky marifet është një përpjekje për të inxhinieruar një identitet të ri “kosovar”, duke ndarë shqiptarët e Kosovës nga pjesa tjetër e kombit shqiptar. Ky është një akt që Pierre Bourdieu e quan “dhunë simbolike”; imponim i kategorive të mendimit dhe i termave të përditshëm në kundërshtim me vetëdijen historike të një populli.

Në Kosovë kemi dhunë të fortë simbolike, i panjohur në praktikat demokratike, ku zakonisht identiteti kombëtar respektohet dhe nuk shpërbëhet me vendime burokratike të federatave politike dhe sportive.

Në këtë kuptim, ky projekt mbetet një eksperiment artificial, i destinuar të ngecë, sepse identitetet nuk krijohen me dekrete, por burojnë nga vetëdija historike dhe kulturore e popujve. Shqiptari nuk mund të “shkrihet” apo të neutralizohet përmes një fanellë tjetër sportive.

Këtu shfaqet një problem politik sepse shprehja “Kombëtarja e Kosovës” nuk është pasqyrim i natyrshëm i një identiteti të përbashkët.

Konsekuent deri në fund; Përmes sportit po tentohet të prodhohet një identitet i ri, duke shkëputur shqiptarët e Kosovës nga trungu i tyre kombëtar.

Të nderuar shqiptarë,

E përsëris, përdorimi i shprehjes “Kombëtarja e Kosovës” është krejtësisht i gabuar dhe politikisht i motivuar. Kombi nuk krijohet pra me dekret, as me federata sportive, e as me media të korruptuara, por buron nga vetëdija kulturore, gjuhësore, dhe historike e popullit.

Përpjekja depresive për të ndarë shqiptarët përmes sportit është një eksperiment i dështuar sepse identiteti nuk mund të shpërbëhet nëpërmjet “maicave” të sportit e as nëpërmjet mekanizmave burokratike të Brukselit.

Shqiptari nuk mund të shkrihet për hatër të nacionalizmit dhe “izmave” tjerë serb. PIKË!

NB!

Kjo është PËRFAQËSUESJA E KOSOVËS! E duam dhe e mbështesim deri në frymën e fundit; që nga Gjirokastra, Vlora, Plava, Gucia, Tetova, Prishtina, Nabërgjani, Lugina e diaspora!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *