OPINIONTË FUNDIT

Prani ushtarake amerikane në Kosovë, SHBA dërgon sinjal të fortë për Serbinë dhe Rusinë – ish-ushtaraku zbërthen prapaskenat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të zgjerojnë dhe forcojnë praninë e tyre ushtarake në Evropën Juglindore, përmes një kontrate pesëvjeçare që përfshin projekte ndërtimi dhe mirëmbajtjeje në Shqipëri, Kosovë dhe Bullgari.

Kjo iniciativë, e udhëhequr nga Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane, ka për qëllim zhvillimin e infrastrukturës moderne për trupat amerikane dhe partnerët në rajon, duke reflektuar angazhimin e SHBA-së për përballjen me sfidat gjeostrategjike dhe gjeopolitike.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrata pesëvjeçare do të përfshijë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e bazave ku janë të vendosura forcat amerikane, duke mbështetur jo vetëm praninë ushtarake të SHBA-së, por edhe veprimtarinë e agjencive të tjera amerikane në rajon, përfshirë Republikën e Kosovës.

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foi ish-ushtaraku, Hafir Hoxha.

Si fillim, ai tha se kjo është një strategji e rëndësishme e SHBA-së e që prej të cilës përfiton mjaft shumë Kosova.

ImageHafir Hoxha.Foto galeri
“Kjo që po ndodh është pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike të SHBA-së në Ballkan dhe Evropën Juglindore.

Për Kosovën kjo ndikon në Forcim të infrastrukturës ushtarake: Investimet amerikane nënkuptojnë modernizim të bazave, ndërtim të objekteve të reja logjistike, fusha stërvitore dhe infrastrukturë mbështetëse.

Kjo i jep Kosovës një kapacitet të rritur për stërvitje të përbashkëta dhe praninë e trupave amerikane/NATO”.

Krahas kësaj, Hoxah vlerëson se ky është një sinjal që SHBA e sheh Ballkanin si rajon që duhet të kontrollohet.

E për këtë, ai tha se ky është një paralajmërim serioz për Serbinë.

“Vetë fakti që SHBA e fut Kosovën në listën e vendeve me investime të drejtpërdrejta ushtarake është një garanci politike dhe ushtarake kundër presioneve nga Serbia ku për të është një sinjal i qartë se SHBA nuk po e sheh Ballkanin thjesht si periferi, por si një zonë strategjike që duhet të kontrollohet, sidomos për shkak të afërsisë me Detin Adriatik dhe korridoret energjetike.

Për Serbinë, kjo është e qartë dhe një paralajmërim se opsioni i një aventure ushtarake apo destabilizimi i Kosovës ka një çmim shumë më të lartë”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, ish-ushtaraku tha se përmes këtij vendimi SHBA po synon ta mbyll hapësirën e ndikimit rus në Ballkan.

“SHBA po tregon se siguria e Ballkanit është prioritet. Edhe pse fokusi kryesor është Ukraina, Ballkani shihet si “barku i butë i NATO-s” – nëse lihet bosh, Rusia dhe Kina do ta shfrytëzojnë.

Përmes Shqipërisë, Kosovës dhe Bullgarisë, SHBA krijon një bosht strategjik lindje-perëndim që mbyll hapësirën e ndikimit rus në Ballkan.

Nuk ka sinjale për ndarje të reja territoriale mes SHBA dhe Rusisë, por ka një ndarje të zonave të interesit

Ukraina – terren i konfrontimit të drejtpërdrejtë SHBA–Rusi”, vlerësoi Hoxha.

Ndër të tjera, ai shtoi se SHBA nuk e ka ndërmend ta lë rajonin e Ballkanit në dorë të Rusisë ose fuqive të tjera, e që kjo i jep siguri Kosovës dhe ia bën të qartë Serbisë disa gjëra.

“Ballkanin – SHBA e ka marrë si zonë të vetën, duke mos lënë hapësirë për kompromis me Moskën.

Në fakt, kjo është më shumë parandalim: SHBA po investon për të mbyllur derën për ndikimin rus (dhe kinez) në Ballkan, që të mos ketë një “front të dytë” destabilizues ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.

Prania e SHBA në Kosovë përmes këtyre projekteve i jep Kosovës siguri afatgjatë, e bën Serbinë të kuptojë kufijtë e veprimit të saj, dhe shndërron Ballkanin Juglindor në një pikatë të hekurt të NATO-s, dhe konfirmon se SHBA nuk ka ndërmend ta lërë rajonin në dorë të Rusisë ose fuqive të tjera”, përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *