Paralajmërimi i fortë nga Andrej Plenkoviç/ Bytyçi tregon pse heshti Edi Rama
Në Forumin Strategjik të Bled-it, teksa diskutonte në një panel me homologun e Sllovenisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka lëshuar një paralajmërim të fortë mbi situatën politike në Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se Serbia është në prag të luftës civile.
“Keni Maqedoninë e Veriut, e cila është e bllokuar. Keni Serbinë me më shumë se dy vite trazira dhe demonstrata të brendshme, në prag të luftës civile. Keni Bosnjë-Hercegovinën me Dodikun, që prej vitesh luan me idenë e shkëputjes. Keni Banjskën e vitit 2023, për të cilën BE nuk artikuloi asnjë qëndrim serioz, a thua se nuk ndodhi. Ky është realiteti”, deklaroi kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.
E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, Plenkoviç vuri në pah rrezikun që i kanoset Ballkanit, gjë të cilën po mundohet ta heshtë Edi Rama.
ImageEnver BytyçiFoto galeri
“Po të mos ishte kryeministri kroat, ndoshta nuk do të dukej fenomeni i kundërt që lidhet me emrin e kryeministrit të Shqipërisë. Andrej Plenkoviç. Kreu i ekzekutivit kroat nuk harroi të ndalet te Kosova. Ai kritikoi mungesën e reagimit serioz nga Bashkimi Evropian për sulmin e armatosur serb në Banjskë, Kosovë, më 24 shtator të vitit 2023. Ai sulm, u shpreh Plenkoviç, kaloi pa deklarata dhe artikulime serioze nga askush në BE, duke tërhequr vëmendjen se „Ne bëmë sikur nuk ndodhi asgjë“. Më tej ai foli për situatën kritike në Serbi dhe efektin negativ të ngjarjeve në këtë vend për gjithë rajonin. Sapo u kthye nga Sllovenia, kryeministri i Kroacisë thirri në takim drejtorin e shërbimit sekret kroat për t’u informuar rreth rastit të arrestimit të dy të dyshuarve për spiunazh në Kosovë”, shprehet Bytyçi.
“Po Edi Rama çfarë tha në Forumin e Bled-it slloven? Asgjë, përveçse të promovonte “dijetarin” që mundet të flasë me elokuencë dhe që përpiqet të fshehë ligësinë e tij pas frazave të bukura. Kosovën nuk e përmendi në asnjë fjalë, në asnjë rresht, në asnjë germë. Sikur ajo nuk ekziston fare në rajonin e Ballkanit Perëndimor apo në ndonjë cep diku në ndonjë kontinent të largët. U ndal te raporti i “besnikërisë së verbër”, duke lëshuar batutën maskuese të tradhtive të tij se “Ne nuk jemi lëkundur dhe as vënë në dyshim, sepse kur vjen fjala për besnikërinë jemi të verbër”. E konsideroi veten si “ndjekës besnik i Europës” dhe nuk kurseu këshillat për t’u ndarë nga SHBA-të”, shton profesor Bytyçi.
Më tej, Bytyçi kritikon ashpër qasjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
“Sërishmi Edi Rama me populizëm mashtrues lëshoi dilemën, sipas së cilës BE “do të thellohet në rrugën e saj për t’u shndërruar në shtetet e bashkuara të Europës apo do të shpërbehet në copa të ndryshme me gjithsecilin që vendos se sateliti i kujt do të bëhet, sepse nuk ka shans që të ndahesh dhe të dalësh nga ky klub i madh dhe pastaj të kesh ndonjë histori të lavdishme, përveçse të bëhesh satelit i dikujt tjetër. Por, gjithmonë jemi në anën e Evropës, pavarësisht se çfarë ndodh”, e përfundoi lideri rilindas i Tiranës fjalën e tij. Nga gjithë kjo retorikë ne shohim një kryeministër shqiptar që ka lëshuar kërpeshin në arat e huaja europiane, duke e kapërcyer gardhin e vet, madje me një pasion aq të madh sa duket sikur e ka harruar jo vetëm Kosovën, por edhe vendin që qeveris, Shqipërinë. Europianët e duartrokasin. Moderatorët europianë edhe pyetjet ia adresojnë, të atilla sikur vetë Rama ose Fuga i Ramës i ka renditur nga zyra kryeministrore. Dhe kësisoj të dy palët plotësojnë njëri-tjetrin sipas metodikës sorosiste të komunikimit. Banjska nuk ekziston për Edi Ramën. Po ashtu Kosova nuk është më aty, as e pavarur, as varur. Mbetet ende “tokë e askujt”, por me shpresën se një ditë do të bëhet tokë e dikujt”, thekson Bytyçi.
Sipas tij, Rama edhe në Forumin Strategjik të Bled-it u mundua që ta ndihmojë mikun e tij, Vuçiq.
“Për çudi nga Bled-i i Sllovenisë mësojmë se kryeministri i Shqipërisë ka hequr dorë edhe nga roli i tij si “lideri rajonal”, që merr në kujdestari të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë. Nuk foli asgjë për ato që ndodhin në Beograd e në Novi Sad! Ndërsa Plenkoviç shprehu shqetësim real për rrezikun e eskalimit të situatës në Serbi në një përshkallëzim deri në luftë civile, Edi Rama nuk pranoi të flasë për këtë. Nuk e përmendi fare protestën e studentëve dhe qytetarëve serbë kundër Aleksandër Vuçiq në Serbi. Kjo ndodhi për disa arsye, por kryesore janë dy: E para, se kryeministri i Shqipërisë është një autokrat i tipit Vuçiq. Dhe e dyta, sepse Edi Rama e ka të ndaluar të përmendë ndonjë episod në zhvillimet kundër presidentit të Serbisë. Duket qartë se ai ka shumë frikë prej Aleksandër Vuçiq, frikë që buron nga ditët e mrekullueshme të promovimit të librit të Ramës “Kurbani” në Beograd. Nga mbrëmjet me mandolinën e Daçiq në ditëlindjen e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd. Që burojnë nga samitet e vëllazërisë Rama-Vuçiq të Open Balkan apo bisedat sekrete për ndarjen e Kosovës etj”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.
“Shqetësimi i Kroacisë është real dhe vë re se Zagrebi ka shqetësim më të madh sesa Tirana zyrtare edhe në raport me Kosovën. Destabilizimi i Serbisë me luftë civile ka për synim që mbështetësit e Vuçiq ta ankorojnë plotësisht Serbinë në anijen lindore e sidomos atë ruse. Pra të eliminojnë çdo prirje dhe revoltë pro-perëndimore. Vuçiq, kur akuzon Perëndimin dhe sidomos Kroacinë për trazira në Serbi, ka për qëllim që të kundërshtojë orientimin perëndimor. Megjithatë është fat i madh që po ndodh ajo që nuk ka ndodhur kurrë më parë, aleanca e vendeve pro-Perëndim në Ballkan është e fuqishme dhe nuk mund të kërcënohet as nga makineria ushtarake, sado e fuqishme të ishte, e Serbisë!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.