POLITIKATË FUNDIT

“Më parë e vras Albin Kurtin sesa…” – Detaje nga seanca, Faton Klinaku u përball me Albin Kurtin para gjykatës

Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku po akuzohen për kanosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Klinaku tha se konsideron që nuk ka vepër penale, andaj nuk e pranon fajësinë.

“Konsideroj se nuk ka vepër penale dhe nuk bëhet fjalë për kanosje dhe nuk e pranoj”, tha i akuzuari.

Edhe i akuzuari tjetër, Nuredin Selmani u deklarua i pafajshëm.

“Jo, nuk e pranoj”, tha ai.

Më pas, gjykatësi Rrahman Beqiri tha se konform nenit 240 të Kodit të Procedurës Penale, meqenëse nuk kemi pranim të fajësisë, njofton mbrojtësit e të akuzuarve se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtim të provave.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca për shqyrtimin fillestar lidhur me akuzën për kanosje ndaj tij

I akuzuar është Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së dhe Nuredin Selmani, te dy këta po marrin pjesë në seancë.

Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, do të mbahet seanca e parë ndaj Faton Klinakut, i akuzuar për kanosje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Seanca është caktuar të nisë në orën 09:00, dhe sipas procedurës pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Kurti në cilësinë e të dëmtuarit.

Klinaku, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se më 30 gusht 2023 kanë kanosur Kurtin përmes postimeve në rrjete sociale.

Në aktakuzë, Klinaku përmendet për ripostimin e një mesazhi me përmbajtje kërcënuese, ku thuhej: “…Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”

Disa javë më parë, Prokuroria njoftoi se aktakuza ndaj Klinakut dhe të dyshuarit tjetër, N.S., për veprën penale “Kanosja”, i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Klinaku, anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka deklaruar më herët se nuk ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, por kishte shtuar se “mezi pret” të ballafaqohet me kryeministrin Kurti në gjykatë.

Gjykata pritet të vendosë mbi vlefshmërinë e aktakuzës dhe vijimin e procedurës penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *