OPINIONTË FUNDIT

Kur drejtuesit e veteranëve bëhen kërcënues të shtetit

Është e papranueshme që një person, i cili mban pozitë të ndjeshme si drejtues i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të dalë publikisht me deklarata si kërcënim ndaj kryeministrit të vendit. Kjo nuk është vetëm çështje juridike, por edhe morale e institucionale.

Edhe më e papranueshme është se ai nuk pendohet, por e përsërit sërish atë që ka thënë. Është e turpshme që një njeri i tillë përfaqëson veteranët e luftës, të cilët janë një shtyllë morale e shoqërisë sonë. Ata kanë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por kur përfaqësues të tyre bëhen protagonistë të gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve, atëherë dëmtohet jo vetëm imazhi i tyre, por edhe kredibiliteti i gjithë kategorisë që pret respekt e mirënjohje nga shteti.

Një shoqëri demokratike nuk mund të lejojë që kërcënimi ndaj kryeministrit të relativizohet si “postim në rrjete sociale” apo si “shprehje e pakënaqësisë”. Fjala publike ka peshë, e aq më tepër kur vjen nga një figurë e lidhur me një organizatë që gëzon ndikim në opinionin publik. Në këtë rast, prokuroria dhe gjykata kanë përgjegjësi jo vetëm të shqyrtojnë rastin, por edhe të dërgojnë një mesazh të qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk ka të drejtë të kanosë institucionet e shtetit.

Për më tepër, ky rast reflekton edhe krizën e brendshme të Shoqatës së Veteranëve. Në vend që të mbrojë dinjitetin e luftëtarëve dhe të kërkojë zgjidhje për problemet e tyre sociale e ekonomike, Shoqata e Luftës është shndërruar në një instrument presioni politik. Kjo ka dëmtuar edhe veteranët e dinjitetshëm, pasi po përdoren për interesa të ngushta partiake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *