Kryeparlamentari Basha në Prekaz: Liria jonë mori kuptim falë familjes Jashari
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, mëngjesin e së mërkurës ka zhvilluar homazhe në disa prej vendeve më të rëndësishme të kujtesës historike të vendit, shkruan KosovaNews.
Ai, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, filloi ditën me homazhe në Prekaz, duke nderuar sakrificën e Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij.
“Heroizmi i tyre është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare”, ka shkruar Basha.
Pas Prekazit, kryeparlamentari vazhdoi homazhet te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova, për të cilin tha se kishte të qartë se kompromisi i vetëm ishte pavarësia e Kosovës.
Nderime ai bëri edhe pranë varrit të Adem Demaçit, të cilin e quajti “pishtar i ndritshëm i lirisë dhe shembull i qëndrestarit të paepur”.
Homazhet u përmbyllën te Memoriali “Heroinat”, ku Basha kujtoi mbi 20 mijë gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës, duke theksuar se kjo plagë nuk mund të shërohet derisa të arrihet drejtësia e plotë.
“Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuesit e lirisë sonë. Është obligim dhe detyrë e jona e përhershme që ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan me veprat e tyre”, u shpreh Basha.