Xhevat Mustafa “godet” Edi Ramën: Përparimi drejt BE-së nuk bëhet me foto dhe premtime boshe
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha gjatë Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni se Shqipëria ka gjasa reale për anëtarësim në Bashkimin Europian më 2029, nëse qeveria vijon me përkushtim reformat e brendshme, sidomos në sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe ekonominë e tregut.
Kos theksoi se procesi është i qartë dhe shtoi se, me përfundimin e bisedimeve teknike me Malin e Zi dhe vazhdimin e reformave, Shqipëria mund të jetë anëtare e 29-të e BE-së në 2029.
Opinionisti Xhevat Mustafa kritikon deklaratat e Komisioneres së BE-së, Marta Kos, që paralajmëron anëtarësimin e Shqipërisë në BE më 2029. Ai i konsideron këto thjesht si propagandë dhe mashtrim politik për llogari të kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se realiteti i Shqipërisë është larg standardeve të BE-së dhe për këtë objektiv ka ende sfida të mëdha.
“Më 1 shtator 2025, Komisionerja e BE për zgjerim Marta Kos, vazhdoi t’i mbajë iso deklaratave thjeshtë për konsum propagandistik dhe mashtrues të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama se pas hapjes së paketave apo dosjeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ky objektiv, si “rrjedhojë e punës së lavdërueshme të ekipit qeveritar Rama”, mund të arrihet edhe më parë se më 2030, më 2029. Si qytetar shqiptar e dëshiroj më shumë se rrogëtarja e BE Marta Kos arritjen qoftë edhe një vit më parë të kësaj dite! Por, qenia qytetar i Shqipërisë më jep edhe arsye të shumta të njoh shumë më mirë se ajo realitetin e sotëm shqiptar, nivelet e vërtetë të Shqipërisë së sotme në shumicën e drejtimeve e të treguesve, larg Brukselit dhe zonjës Kos sa janë larg Hëna dhe Toka në kozmos! Kjo deklaratë e re e zonjës Kos ka tek Edi Rama edhe efektin e një doze të fortë drogë ose të shumë gotave me raki Permeti apo verë Rahoveci, sa të mendojë se do të ketë mundësi ta bëjë edhe detin kos!”, thotë ai.
Tutje, Mustafa vë në dukje se kryeministri Edi Rama shpesh promovon hapjen e negociatave dhe kapitujve për BE-në si “punë të kryer”, duke lënë jashtë faktin se përmbushja e standardeve është procedurë dhe detyrim për çdo vend kandidat.
Sipas tij, pa realizuar kushtet dhe reformat e nevojshme nga Tirana, çdo reklamim apo parashikim për anëtarësim të shpejtë mbetet vetëm mburrje dhe propagandë, pa ndikim real në procesin e vendimmarrjes në Bruksel.
“Nëpërmjet postimeve të tij të bollshme e të shpeshta në media e rrjete sociale kryeministri Edi Rama ka reklamuar rregullisht e si “punë të kryer” çeljen e negociatave për të gjithë dosjet dhe kapitujt. Ashtu si edhe në serialin e mburrjeve e të premtimeve gjatë fushatës për gjase zgjedhjet e 11 majit, edhe në deklarimet në vijim, ai “harroi” apo shmangu me qëllim t’u bënte të qartë shumicës së shqiptarëve se sa larg me vite janë hapja nga përmbyllja apo plotësimi i të gjithë kapitujve. As nuk e çoi ndërmend të sqaronte se hapja e kapitujve të anëtarësimit të plotë në BE është detyrim e procedurë për çdo vend kandidat. As se mund të bëhet shpejt apo mund të zvarritet e shtyhet për në “kalendat greke”, nëse mungojnë nga lart, domethënë nga qeveria dëshira e vullneti. Pra, si kujtesë për kryeministrin dhe shumicën e atyre që shkrihen si akullore kur e dëgjojnë, kërkohet nga Tirana qeveritare dhe shtetërore nxitim dhe padurim, pa iluzionin, pa gënjyer veten dhe popullin se do të ketë pritje të ankthshme nga Brukseli për ta pasur sa më shpejt Shqipërinë në gjirin e tyre!?
Në rastin tonë, nuk ka arsye përse të vonohet më tepër, së pari nga ne vetë, duke i përmbushur kërkesat, kushtet dhe standardet, sa më shpejt e më mirë e jo duke pandehur se mund t’i hidhet hi e rërë syve burokratëve dhe vendimmarrësve në Bruksel! As të keqinterpretohet dhe të reklamohet me të gjitha bulçitë e “boritë” partiake dhe mediatike, nga Rama- qeveria si sukses dhe meritë e saj apo si nder, favorizim dhe privilegjim për atë!
Merret me mend se pa u hapur kapitujt nuk mund të mendohet, flitet, të bëhen parashikime, hamendësime, mburrje, bilance… As të vijnë nga Brukseli ekipe për kontroll dhe turizëm…! Nënkuptohet, edhe për dietat, për një ditë sa një pension vjetor ish veterani dhe ish partizani shqiptar…apo veterani të UÇK në Kosovë”, shpejgon ai.