OPINIONTË FUNDIT

SHBA konsolidon praninë në Ballkan – Kosova në qendër të arkitekturës së re ushtarake

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të zgjerojnë dhe forcojnë praninë e tyre ushtarake në Evropën Juglindore, përmes një kontrate pesëvjeçare që përfshin projekte ndërtimi dhe mirëmbajtjeje në Shqipëri, Kosovë dhe Bullgari.

Kjo iniciativë, e udhëhequr nga Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane, ka për qëllim zhvillimin e infrastrukturës moderne për trupat amerikane dhe partnerët në rajon, duke reflektuar angazhimin e SHBA-së për përballjen me sfidat gjeostrategjike dhe gjeopolitike.

Një dëshmi konkrete e këtij përkushtimi është shpallja e kontratës së re nga Korpusi i Inxhinierëve, e cila synon mbështetjen ushtarake dhe infrastrukturore në disa vende të Evropës, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Bullgarinë.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrata pesëvjeçare do të përfshijë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e bazave ku janë të vendosura forcat amerikane, duke mbështetur jo vetëm praninë ushtarake të SHBA-së, por edhe veprimtarinë e agjencive të tjera amerikane në rajon, përfshirë Republikën e Kosovës.

Një vendim i tillë nga Ministria e Mbrojtjes shihet si kontribut për sigurinë në gjithë rajonin.

“Mirëpresim çdo investim apo shtim të forcave amerikane në Kosovë, pasi siç e kemi cekur edhe më parë SHBA është partneri ynë strategjik, dhe madje jo vetëm investimi në infrastrukture ushtarake në Evropën Juglindore por dhe vendosja e një bazë të përhershme në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë jo vetëm të Kosovës por dhe gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha Liridona Gashi, Zëdhënëse në Ministrinë e Mbrojtjes.

E në lidhje me rëndësinë e këtij vendimi dhe si do ta përmirësojë aspektin e sigurisë, folën njohësit e kësaj çështje.

Shala: Një sinjal politik dhe ushtarak ndaj Serbisë

Së pari, eksperti Drizan Shala në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se ky vendim i SHBA është mesazh strategjik.

Sipas tij, kjo konfirmon se Ballkani është rajon me rëndësi për SHBA-në.

ImageDrizan ShalaFoto galeri
“Shpallja e kontratës pesëvjeçare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për projekte ndërtimore dhe mirëmbajtëse në Shqipëri, Kosovë dhe Bullgari është një mesazh i qartë strategjik. Kjo nismë tregon se SHBA po konsolidon infrastrukturën ushtarake në Evropën Juglindore, Ballkanit duke e parë rajonin si një pikë kyçe për sigurinë euroatlantike në kuadër të rivalitetit me Rusinë dhe sfidave hibride që vijnë nga Lindja”.

Krahas kësaj, Shala potencoi se përmes këtij investimi, Kosova zë një vend të rëndësishëm në kuadrin e ri të bashkëpunimit ushtarak rajonal.

“Për Kosovën, kjo nënkupton rritje të kapaciteteve të bazave dhe infrastrukturës mbështetëse, forcim të pranisë amerikane në terren dhe siguri të shtuar në raport me kërcënimet e Serbisë dhe ndikimin rus. Në të njëjtën kohë, ky investim e bën Kosovën pjesë të pandashme të arkitekturës së re ushtarake rajonale, duke dhënë një garanci të drejtpërdrejtë për stabilitetin e saj afatgjatë”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, eksperti foli për sinjalin dhe mesazhin që tregon kjo lëvizje e fundit e Amerikës, kryesisht ndaj Serbisë që synon destabilizim të rajonit.

“Kjo është gjithashtu një sinjal politik dhe ushtarak ndaj Serbisë, e cila vazhdon të luhatet midis Perëndimit dhe Rusisë. Mesazhi është i qartë:

Ballkani Perëndimor do të ketë një union ushtarak të brendshëm të koordinuar nga SHBA, me Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë si shtylla kryesore të sigurisë rajonale.

Ky bashkërendim do të garantojë që rajoni të mbetet pjesë organike e sistemit të mbrojtjes kolektive perëndimore dhe të pamundësojë çdo përpjekje për destabilizim”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Bilalli: Për ne është me rëndësi të jemi aty ku duhet

Ndërsa, eksperti tjetër, Lutfi Bilalli vlerëson se kjo prani e SHBA-së është domosdoshmëri për sigurinë shtetërore dhe kombëtare të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë interesa gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Juglindje të Evropës, e në veçanti në rajonin e Ballkanit. Angazhimi dhe vizioni amerikan për praninë ushtarake në disa shtete të Ballkanit (Kosovë, Shqipëri dhe Bullgari) janë të një rëndësie të madhe për ombrellën e sigurisë së këtyre vendeve. Në veçanti, kjo prani është domosdoshmëri për sigurinë shtetërore dhe kombëtare të Kosovës.

ImageLutfi BilalliFoto galeri
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po forcojnë praninë ushtarake në Evropën Juglindore përmes një kontrate pesëvjeçare që mbulon projekte ndërtimi dhe mirëmbajtjeje në Kosovë, Shqipëri dhe Bullgari”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Bilalli për “Bota sot” u shpreh se ky vendim është një goditje për synimet ruse për të rritur prezencën dhe ndikimin e tyre në Ballkan.

“Pozicioni gjeostrategjik i Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë përbën interes të rëndësishëm gjeopolitik dhe ushtarak për SHBA-të, por njëkohësisht është interes edhe për vetë këto shtete të Ballkanit. Në një kohë të ndryshimeve të mëdha në gjeopolitikën botërore, ku po hyjmë në një epokë multipolariteti me rivalitet ndërmjet SHBA-ve, Kinës dhe Rusisë, si dhe me rritjen e apetiteve ruse për prezencë në Ballkan, bëhet edhe më e rëndësishme prania ushtarake dhe politike e SHBA-ve dhe e BE-së në këtë pjesë të Evropës Juglindore”.

Në fund, eksperti potencoi se kjo është edhe një konfirmim se trupat amerikan nuk largohen nga vendi ynë, pavarësisht se kishte raportime të ndryshme muajt e fundit.

Madje, paralajëmroi se gjeopolitika botërore po ndryshon me një ritëm të shpejtë, ndërsa për ne është me rëndësi të jemi në anën e duhur.

“Për Kosovën, kjo do të thotë shumë, aq më tepër kur më herët janë dëgjuar zëra për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga vendi. Sipas mendimit tim, kjo prani tregon dhe rikonfirmon angazhimin e SHBA-ve për një prezencë ushtarake në Kosovë, e cila është jetike për interesat e Republikës së Kosovës në veçanti dhe për sigurinë kolektive të shqiptarëve në përgjithësi — sidomos tani, kur kërcënimi rus është evident në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Për Serbinë, kjo është një tregues i qartë se çdo aventurë e tyre për destabilizim do të përballet hapur me kundërpërgjigjen amerikane, aq më tepër kur tashmë Serbia është i vetmi vend evropian që po rreshtohet hapur në “koncernin” ruso-kinez.

Pra, gjeopolitika botërore po ndryshon me një ritëm të shpejtë, ndërsa për ne është me rëndësi të jemi aty ku duhet — në anën e aleancave të qëndrueshme dhe të së ardhmes euroatlantike”, përmbylli Lutfi Bilalli për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *