POLITIKATË FUNDIT

“Opozita në shërbim të Beogradit?” Hidhen dyshime të forta pas zhvillimeve të fundit në Kuvend

Kuvendi ende nuk është konstituar plotësisht, kjo pasi ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e pakicës serbe.

Lëvizja Vetëvendosje votoi kundër Listës Serbe dhe pro Nenad Rashiqit, por partitë tjera shqiptar nuk e votuan këtë të fundit, ku kësisoj edhe dështoi zgjedhja e nënkryetarit serb.

Mosvotimi i Rashiq nga partitë opozitare, ka nxitur reagime të mëdha.

E në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca.

Së pari, ai kritikoi këtë sjellje të opozitës dhe argumentin e tyre se votimi i Rashiqit është “kundërkushtetues”.

ImageMirsad VocaFoto galeri
“Sjellja e opozitës në Kuvendin e Kosovës, duke refuzuar votimin për Nenad Rashiqin si ministër, është simptomë e nje strategjie të rrezikshme që rreshtohet në krah të agjendës së Serbisë. Argumenti i tyre se vota për një serb që pranon shtetin e Kosovës është “kundërkushtetuese” bie në kundërshtim flagrant me faktin se po të njëjtët deputetë nuk patën asnjë problem ta mbështesin Emilija Rexhepin. Ky standard i dyfishtë nuk është gabim teknik, por një lëvizje politike e llogaritur”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Voca tha se Kuvendi është konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe Kushtetuta nuk e ndërlidh atë me zgjedhjen e nënkryetarit serb.

Madje, tha se Lista Serbe nuk ka te drejtë kushtetuese të bllokojë institucionet, ku në këtë pikë kritikoi sërish opozitën, që sipas tij interesi i vetëm i tyre është dobësimi i qeverisë Kurti.

“Por ja fakti thelbësor: Kuvendi i Kosovës është i konstituuar dhe funksional sapo është zgjedhur Kryetari dhe janë verifikuar mandatet e deputetëve. Kushtetuta nuk e lidh konstituimin me zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb. Pra, Lista Serbe nuk ka te drejtë kushtetuese të bllokojë institucionet e Republikës së Kosovës. Vendin e tyre në Kryesi mund ta mbajnë bosh, por Kuvendi nuk ndalet. Çdo narrativë tjetër është propagandë e Beogradit, e cila fatkeqësisht po amplifikohet edhe nga opozita kosovare.

Opozita duket se nuk ka ndonjë interes real për mbrojtjen e Kushtetutës; ajo ka një interes të vetëm: ta dobësojë qeverinë Kurti me çdo kusht. Por në përpjekjen e tyre për të izoluar Vetëvendosjen, opozitarët po e izolojnë vetë Kosovën. Ata po pengojnë integrimin e serbëve lojalë ndaj shtetit, duke lënë hapësirë që Lista Serbe të mbajë peng komunitetin në veri. Ky është një shërbim i drejtpërdrejtë ndaj Beogradit”, shpjegoi ai.

Tutje, doktori i Integrimeve Evropiane hodhi disa dyshime mbi këtë qasje të opozitës, duke thënë se nuk po “funksionon më si kontroll demokratik ndaj qeverisë, por si një instrument i pavetëdijshëm ose i vetëdijshëm i projeksioneve serbe”

“Kujtojmë se në shtator 2023 Serbia ndërmori sulmin terrorist në Banjska, i udhëhequr nga Milan Radojçiq, me qëllimin e qartë për të krijuar kaos dhe për të rrëzuar rendin kushtetues në veri. Sjellja e opozitës sot ngre dyshime të arsyeshme: a jemi vetëm përballë një oportunizmi politik të brendshëm, apo kemi të bëjmë me ndikim të drejtpërdrejtë, presion dhe ndoshta edhe shantazh nga Beogradi mbi disa struktura opozitare?

Përgjigjja mbetet e paqartë, por pasoja është e dukshme: opozita nuk po funksionon më si kontroll demokratik ndaj qeverisë, por si një instrument i pavetëdijshëm ose i vetëdijshëm i projeksioneve serbe në Kosovë. Kjo sjellje nuk është vetëm opozitarizëm destruktiv por është një akt politik që minon sovranitetin e vendit dhe e vendos Kosovën në një pozitë më të brishtë ndërkombëtare”.

Ndër të tjera, Voca shtoi se nëse opozita nuk ndryshon qasje dhe vazhdon të sillet si zëdhënëse e interesave serbe, atëherë qytetarët me të drejt do ngrisin disa pyetje për këtë.

“Nëse opozita vazhdon me këtë kurs, historia do ta gjykojë jo si një forcë demokratike që ruajti balancën, por si një faktor destabilizues që i dha oksigjen strukturave mafioze dhe agjendës hegjemoniste të Serbisë.

Nëse sot opozita e Kosovës zgjedh të sillet si zëdhënëse e interesave serbe, atëherë qytetarët kanë të drejtë të pyesin: për kë po punojnë këta deputetë? për qytetarët e Kosovës, apo për një axhendë të huaj që synon dobësimin e shtetit tonë?”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *