Aksion i madh i Policisë në veri, gjenden armë dhe bluza me simbole nacionaliste serbe
Njësitë e Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë një bastisje në një lokal në zonën e Leposaviqit, ku dyshohet se janë shitur produkte me mbishkrime dhe simbole nxitëse.
Image
Rastin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili bëri të ditur se rasti është duke u trajtuar me seriozitet të lartë.
“Rreth orës 12:00 jemi njoftu nga Njësitet e Policisë Kufitare se në një lokal në zonën e Leposaviqit shiten pije, logo, maica, thika, elektroshok etj.”, ka deklaruar Elshani.
Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes ka dalë Njësiti i Hetimeve Rajonale me asistencën e Doganës së Kosovës.
Për shkak të përmbajtjes së materialeve të gjetura – duke përfshirë mbishkrime potencialisht nxitëse dhe artikuj të ndjeshëm është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Përveç mallit të kontrabanduar dhe veshmbathjeve nacionaliste serbe, Dogana e Kosovës ka nisur të konfiskojë tashmë edhe me dhjetëra pije alkoolike dhe pajisje për përpunimin e saj.
Image
“Deri tani nuk kemi persona të arrestuar dhe bastisja ende është në vazhdim. Pas përfundimit të saj dhe intervistimeve të nevojshme, në bashkëpunim me prokurorin e rastit do të dimë se si të veprojmë tutje”, shtoi Elshani.