OPINIONTË FUNDIT

“Dikush këtu vërtetë po punon për hesap të Serbisë”

Ish-kryetari i gjykatës, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj atyre që po kundërshtojnë përfundimin e seancës konstituive të Kuvendit pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Ai theksoi se një interpretim i tillë i Kushtetutës i jep Serbisë mundësinë që përmes bojkotit të paralizojë institucionet e Kosovës.

“Me dorën tonë ia japim Serbisë fuqinë që ta vrasë Republikën. Thjesht duke mos marrë pjesë në seancë, deputetët serbë do ta bllokonin konstituimin e Kuvendit,” tha Kryeziu.

Duke kujtuar rastet e bojkoteve të Listës Serbe, përfshirë largimin nga institucionet në vitin 2022, ai u shpreh se kjo logjikë është e rrezikshme dhe një “fitore e madhe për Serbinë”.

Postimi i plotë:

DIKUSH KËTU VËRTET PO PUNON PËR HESAP TË SERBISË.

Nuk e kam zakon të shprehem keq dhe ashpër, por kam frikë që më duhet të dal nga vetja, sepse disa njerëz thjesht nuk kuptojnë ndryshe.

Të gjithë ju që po bëni zhurmë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa u zgjedhur edhe nënkryetari i Kuvendit që i takon komunitetit serb, e që po ulërini se konstatimi i Kryetarit të Kuvendit që seanca konstituive ka përfunduar është përmbysje e rendit kushtetues e pallavra të tjera idiote, ju them që sinqerisht keni nevojë të shkoni te doktori sepse nuk jeni në tokë të bukës.

Mendoni vetëm pak për faktin se që nga krijimi i institucioneve të para pasluftës, pra edhe në kohën e UNMIK-ut, përfaqësuesit politikë të komunitetit serb e kanë aplikuar rregullisht pa dëgjueshmërinë qytetare, përfshirë edhe braktisjen dhe bojkotin e institucioneve të Kosovës. Rasti i fundit është në nëntor të vitit 2022, kur e dirigjuar nga Beogradi “Lista Serbe” vendosi të braktiste institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë dhe Kuvendin.

Nëse mbizotëron interpretimi që i jep veto në konstituim të Kuvendit komuniteteve jo shumicë, të cilin fatkeqësisht e kanë përqafuar edhe disa politikanë, dhe rrjedhimisht institucionet kompetente, Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese, konstatojnë që nuk ka konstituim të Kuvendit pa zgjedhjen edhe të nënkryetarit serb të Kuvendit, atëherë me dorën tonë ia japim Serbisë fuqinë që ta paralizojë me vdekje klinike Kuvendin, organin më të lartë të Republikës. Po, me dorën tonë e vrasim Republikën.

Thjesht duke mos marr pjesë në zgjedhje, apo edhe duke e bojkotuar seancën konstituive, deputetët e zgjedhur serbë e pamundësojnë konstituimin e Kuvendit. Duke e bojkotuar seancën konstituive ata vërtet e humbin mandatin e deputetit, por ky akt vetëflijimi personal iu siguron deklasimin e Kuvendit, rrjedhimisht edhe të vetë Republikës, një fitore kjo shumë e madhe për Serbinë.

Mendoni pak o gra e burra. Vejani pak gishtin kokës. Shikojeni a jeni në terezi, e mos ndoshta në ushqim ju kanë futur ndonjë substancë? Apo, mos e bë o Zot, vërtet e keni shitur shpirtin te djalli?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *