Alarm nga Kosova Lindore: Qytetarët po shtypen, politikanët pasurohen – gjendja më e keqe se kurrë
Intervistë me analistin nga Presheva, Kujtim SadriuSadriu: Serbia po i zhduk shqiptarët nga Lugina me pasivizim dhe mosnjohje diplomash
Pozita e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është më e keqe se kurrë më parë dhe kësisoj shqiptarët atje janë të shtypur në heshtje para syve të Evropës, kështu thotë analisti Kujtim Sadriu.
Sadriu në një intervistë ekskluzive për gazetën ““Bota sot”, thotë se në krahasim me vitet e kaluara nuk ka pasur përparim në realizimin e të drejtave të shqiptarëve, përkundrazi është më keq.
Sipas tij, gjendja në Luginë është alarmante dhe sfida më e madhe është lufta administrative: pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave, mos-punësimi.
Në intervistë, Sadriu flet edhe rreth arsyes se pse Lugina ka mbetur jashtë tryezës së bisedimeve Kosovë- Serbi, angazhimin e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për çështjen e Preshevës si dhe emigrimit masiv në Luginë.
recommended by
Pro Drops
Зошто македонските фармации го кријат ова ефикасно решение
Не дозволувајте да ви земат повеќе пари – вистината конечно …
Научете повеќе
Intervista e plotë
ImageKujtim Sadriu
“Bota sot”: Si e vlerësoni pozitën aktuale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në raport me institucionet e Serbisë?
Kujtim Sadriu: Pozita e shqiptarëve është më e keqe se kurrë më parë. Lugina ka nivelin më të ulët të punësimit në Serbi dhe është totalisht e anashkaluar nga organet shtetërore republikane. Paramendojeni: në pikën kufitare që ndan Preshevën me Kumanovën, nuk ka asnjë shqiptar – të gjithë punonjësit janë nga Vranja. Policia është në çdo cep të qytetit. Në pikën e pagesës në autostradë janë vetëm 4 shqiptarë. Politikisht nuk njihen diplomat me qëllim që shqiptarët të mos kenë mundësi të punësohen. Ndërsa për interesa ekonomike, Serbia pranon letërnjoftimet biometrike të Kosovës, edhe pse mbi to shkruan “Republika e Kosovës”. Pra, me të gjitha mekanizmat jemi të shtypur në heshtje, para syve të Evropës.
“Bota sot”: Në krahasim me vitet e kaluara, a ka pasur përparim në realizimin e të drejtave të shqiptarëve atje, apo situata ka mbetur e njëjtë?
Kujtim Sadriu: Përkundrazi, është edhe më keq. Në gjyqësi shteti nuk punëson shqiptarë, në prokurori dhe doganë po ashtu nuk ka shqiptarë. Në polici edhe këta që janë, pas 8 vitesh do të shkojnë në pension dhe nuk do të ketë më shqiptarë. Të rinjtë nuk po shfaqin interes për të konkurruar, pasi ekziston një luftë psikologjike dhe propagandistike që zhvillohet edhe nga disa “analistë” në mediumet e Kosovës e që ka dyshime që janë të financuar nga caqe të caktuara, të cilët mbjellin frikë pa mëshirë te të rinjtë shqiptarë, duke i shpallur “tradhtarë” nëse konkurrojnë në këto organe. Pra, gjendja është alarmante.
“Bota sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha politike dhe shoqërore me të cilat përballen qytetarët e Preshevës?
Kujtim Sadriu: Sfida më e madhe është lufta administrative: pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave, mos-punësimi – siç e theksova edhe më lart. Tek pasivizimi një pjesë faji ka edhe spektri politik shqiptar, sepse nuk merret seriozisht me këtë problem. Një shembull konkret: për shkak të mosemërtimit të rrugëve (kompetencë e pushtetit lokal), qytetarët ngelin pa dokumente. Kjo lë përshtypjen se bëhet me paramendim, madje ndoshta edhe me koordinim me struktura të caktuara shtetërore.
”Bota sot”: Deputeti Shaip Kamberi ka njoftuar se ka iniciuar ditë më parë pranë Qeverisë së Serbisë formimin e “Fondit të veçantë për zhvillimin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”. A mund të shërbejë kjo si një arsye për të ndaluar largimin e shqiptarëve nga vendlindja e tyre?
Kujtim Sadriu: Kjo tregon qartë se Shaip Kamberi nuk ka një vizion të qartë politik për shqiptarët. Njëherë kërkon fond, njëherë marrëveshjen e Konçulit, njëherë planin me 7 pika, njëherë referendum. Ideja e fondit është e mirë, por kërkesa është shumë e zbehtë dhe pa strategji të mirëfilltë. Për këtë arsye Serbia nuk na merr seriozisht, sepse deputeti vepron me politika minimale dhe biseda të “mahallës së fshatit Tërnoc”.
“Bota sot”: A mendoni se do të ketë një përgjigje pozitive nga Qeveria e Serbisë, duke pasur parasysh se kjo e fundit vazhdon me politika të qëllimshme për largimin e shqiptarëve, siç është rasti i pasivizimit të adresave, e të tjera?
Kujtim Sadriu: Jo. Nuk do të ketë përgjigje pozitive. Partia e Shaip Kamberit ka mbështetur qeverinë e Vuçiqit duke u bë servil për një sekretar shtetërorë ku Beogradi nuk e ka përfillur, e mos të flasim për fond.
“Bota sot”: Në çfarë mase dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë reflekton në jetën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës?
Kujtim Sadriu: Qeveria aktuale e Kosovës, para se të vinte në pushtet, u zotua se do ta fuste Luginën në tryezën e bisedimeve në Bruksel, por Serbia e ka refuzuar kategorikisht. Nga ana tjetër, edhe qeveria e Kosovës duket se e ka bërë vetëm për sy e faqe, pa vendosmëri të vërtetë.
“Bota sot”: Pse mendoni se Lugina mbetet jashtë tryezës së bisedimeve dhe a duhet të përfshihet më fuqishëm në këtë proces?
Kujtim Sadriu: Spektri politik në Luginë nuk ka punuar për ta ngritur këtë çështje në nivel ndërkombëtar. Kur serbët në veri ngritën barrikada, Shaip Kamberi ishte deputet në Beograd, Ragmi Mustafa ishte kryetar komune dhe anëtar i trupit koordinues të qeverisë së Serbisë. Ata kanë jetuar me pozitat e organeve serbe. Për më tepër, me retorikë injoruese kërkonin reciprocitet me serbët e veriut, gjë që nuk është e arsyeshme.
“Bota sot”: Si e shihni angazhimin e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për çështjen e Preshevës? A është ky angazhim në nivelin e duhur dhe cilat hapa konkrete do të duhej të ndërmerrnin Prishtina dhe Tirana për t’i mbështetur më fuqishëm shqiptarët e Luginës?
Kujtim Sadriu: Shqipëria nuk merret me problemet tona. Ambasadori Bardhyl Canaj në Beograd ka qenë më aktiv dhe ka frekuentuar Luginën, por qeveria e Shqipërisë nuk është marrë seriozisht me shqiptarët këtu. Edhe Kosova nuk koordinon të gjitha subjektet politike, por vetëm partinë e Shaip Kamberit dhe militantët e saj. Fondet e ndara janë keqpërdorur brutalisht. Për bujqit është thënë se i pengon Beogradi, ndërsa për OJQ-të janë shpërndarë të gjitha mjetet. Përfundimi është se as Kosova, as Shqipëria nuk kanë plan konkret dhe strategjik për Luginën. Qeveritë e kaluara në Prishtinë nuk janë interesuar kurrë seriozisht për këtë çështje.
“Bota sot”: Kemi parë një emigrim masiv në jetën shoqërore atje. Sa ka ndikuar kjo në ekonominë e rajonit?
Kujtim Sadriu: Është pikërisht problemi ekonomik, por edhe terrori psikologjik që ka ndikuar. Qytetarët janë të zhgënjyer nga spektri politik që është pasuruar në emër të patriotizmit. Migrimi nga Lugina ka qenë i vazhdueshëm: në vitet ’70–’80 migronin vetëm kryefamiljarët, në vitet ’90 nga regjimi i Millosheviqit emigronin me nga një anëtar për ekzistencë. Sot migrojnë me tërë familjet drejt Gjermanisë, si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike dhe mungesës së interesimit të shtetit, përfshirë këtu edhe liderët lokalë.
“Bota sot”: Serbia nuk po heq dorë nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe. A do të duhej që edhe shqiptarët në Serbi të kërkonin një gjë të tillë dhe sa mbështetje ndërkombëtare do të kishte kjo?
Kujtim Sadriu: Mendoj se Asociacioni nuk i konvenon as serbëve, as shqiptarëve. Zgjidhja e vetme që do t’i jepte fund konfliktit serbo-shqiptar, e mbi të gjitha paqes në Ballkan, është korrigjimi i kufijve: tri komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë t’i bashkohen Kosovës, ndërsa tri komunat e veriut të Kosovës (Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok) t’i bashkohen Serbisë. Me Asociacion, edhe sikur ta kishim në Luginë, ne humbasim, sepse Serbia investon miliarda në Kosovë, ndërsa Kosova aspak në Luginë.