Një polemikë e papritur për Dimal Bashën…!
Vetëm një ditë pasi Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, një punim akademik i vjetër, ku ai figuron si bashkautor, ndezi reagime të forta në skenën politike të Kosovës. Në qendër të debatit është një libër i shkruar dy dekada më parë, ku pretendohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u financua jo vetëm nga diaspora shqiptare, por edhe nga burime të paligjshme, si trafikantë droge. Kjo deklaratë nxiti kritika të ashpra, duke e vendosur Bashën në një situatë të vështirë, ndoshta të papritur për të, në arenën e ashpër të politikës shqiptare.
Basha ka mohuar me forcë çdo akuzë se ka shkruar kundër UÇK-së, duke sqaruar se kontributi i tij në libër u kufizua në një kapitull mbi islamin radikal dhe nuk përfshinte pretendimet e diskutueshme. Megjithatë, polemika ka lënë një hije mbi figurën e tij, pavarësisht nëse ai është autor i drejtpërdrejtë i atyre tezave apo jo. Por a duhet gjykuar Basha vetëm për një libër të vjetër, apo duhet t’i japim mundësinë të tregojë veten si kryetar i Kuvendit?
Një fillim premtues në SHBA
Unë jam ndoshta një nga gazetarët e paktë që kam pasur mundësinë të promovoj Dimal Bashën që në vitin 2009, kur ai ishte student në Kolegjin John Jay në New York. Atë kohë, Dimal Basha, së bashku me Marko Kepin dhe një studente tjetër nga Tirana (emrin e së cilës nuk e mbaj mend), më kontaktuan për të kërkuar ndihmën time si gazetar. Ata më treguan se mbi 25 studentë shqiptarë në John Jay College kishin fituar të drejtën për të themeluar një grup parlamentar studentor në Asamblenë e Kolegjit. Kjo i lejonte të zgjidhnin një kandidat për president të studentëve dhe të vendosnin flamurin e Shqipërisë në korridorin e flamujve të kolegjit, krahas flamujve të vendeve të tjera, si një sallë e vogël e OKB-së.
I takova të tre studentët dhe dëgjova me vëmendje diskutimet e tyre, të mbushura me tone patriotike dhe politike. U sugjerova të lidheshin me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe të mësonin nga liderët e tij, si Joseph DioGuardi, ish-kongresisti republikan dhe president i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes-DioGuardi. U këshillova të ftonin DioGuardin dhe figura të tjera të rëndësishme në festën e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, për të nderuar kontributet e tyre dhe për të forcuar lidhjet me diasporën.
Kështu ndodhi. Studentët organizuan një aktivitet të suksesshëm, ku nderuan DioGuardin, figura të tjera të kolegjit dhe, me surprizë, edhe mua, duke më shpallur anëtar nderi i Grupit të Studentëve Shqiptaro-Amerikanë të John Jay College.
Kontributi i Dimal Bashës në diasporë dhe Kosovë
Dimal Basha, bashkë me Marko Kepin dhe studentët e tjerë të Klubit Studentor Shqiptaro-Amerikan, u angazhuan në dhjetra aktivitete patriotike dhe lobuese për çështjet shqiptare. Ata organizuan festa të flamurit, seminare dhe ftesa për politikanë, kandidatë për senat dhe kongres, aktivistë, artistë dhe avokatë të çështjes kombëtare. Dimali u dallua për lidhjen e tij të ngushtë me komunitetin shqiptaro-amerikan. Më pas, ai shërbeu në zyrën e kongresistit demokrat Eliot Engel dhe si analist në Gjykatën Federale, duke treguar një formim të fortë profesional dhe patriotik.
Pas kthimit në Kosovë, Basha u zgjodh deputet dhe tani kryetar i Kuvendit të Kosovës, një pozicion që e vendos atë në krye të një institucioni kyç të shtetit. Përkundër polemikave për punimin e vjetër akademik, niveli i tij arsimor, formimi patriotik dhe kontributet e tij në SHBA dhe Kosovë janë të pamohueshme.
Ka gabuar apo jo Dimal Basha si politikan?
Nuk mund të gjykoj plotësisht aktivitetin e Dimal Bashës në Kosovë, pasi nuk e kam ndjekur me hollësi pas kthimit të tij atje. Polemika për librin mund të jetë një gabim i paqëllimshëm nga e kaluara, por nuk përcakton aftësitë e tij si politikan. Si kryetar i Kuvendit, ai ka mundësinë të tregojë vlerën e tij përmes punës, jo vetëm përmes debatit për një libër të vjetër. Amerikanët thonë: “You never know!” (Kurrë nuk i dihet!), ndërsa ne shqiptarët themi: “Mos i shiko gunën, por shiko punën!”.
Unë besoj se diaspora shqiptare në SHBA është krenare për të rinjtë si Dimal Basha, të cilët u arsimuan në Amerikë dhe tani japin kontributin e tyre për Kosovën, Shqipërinë dhe trojet shqiptare. Zgjedhja e tij si kryetar i Kuvendit është një arritje që meriton mbështetje dhe një shans për të treguar aftësitë e tij. Le ta lëmë të bëjë punën dhe të vlerësojmë rezultatet e tij në të ardhmen