OPINIONTË FUNDIT

Kryeziu: Thaçi i mungon skenës politike si shiu që i mungon shkretëtirës – mes tij dhe Albin Kurtit gara do të ishte e barabartë dhe parimore

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale duke shprehur shqetësimin e tij për gjendjen aktuale politike në vend dhe duke kërkuar rikthimin e Hashim Thaçit në skenën politike si një figurë e domosdoshme për rivendosjen e balancës demokratike.

“Hashim Thaçi i mungon skenës sonë politike si shiu që i mungon shkretëtirës,” shkruan Kryeziu, duke shtuar se shpreson që Thaçi të lirohet nga akuzat dhe të rikthehet në krye të Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas tij, megjithëse nuk beson se Thaçi do ta mposhtte menjëherë Albin Kurtin, ai thekson se “të paktën gara politike do të ishte e barabartë dhe parimore.”.

Kryeziu kritikon ashpër udhëheqjen aktuale të opozitës, duke e cilësuar mendësinë e saj si “alla OJQ” dhe të paaftë për të udhëhequr një aksion serioz politik. Ai thotë se “nuk rrëzohet Albin Kurti duke i bllokuar proceset themelore të shtetit” apo “duke u ankuar për të te ambasadat.” Sipas tij, opozita ka braktisur rolin e saj politik duke u shndërruar në një zë kritik pa veprim konkret.

Duke përmbyllur reagimin e tij, Kryeziu shprehet i bindur se Thaçi, me kthimin e tij eventual, “do ta shporrë logjikën alla OJQ nga selia e partisë” dhe do të rikthejë garën reale politike. “Hashim, vëllau im, vërtet shpresoj të kthehesh, sepse na duhesh – në mos për asgjë tjetër, së paku të kemi për çka të dalim në zgjedhje,” përfundon ai.

Postimi i plotë:

Hashim Thaçi i mungon skenës tonë politike si shiu që i mungon shkretëtirës dhe sinqerisht shpresoj që ai të lirohet nga akuzat dhe të kthehet si Kryetar i PDKsë. Nuk po them që Thaçi menjëherë do ta mposhtë politikisht Albin Kurtin, sepse jam i vetëdijshëm që, siç themi në Prizren, që nga burgosja e tij shumë ujë ka rrjedhur poshtë urës së gurit dhe gjeneratat e reja kanë krijuar bindje e simpati të tjera, por së paku gara politike do të ishte e barabartë dhe parimore.

Fatkeqësisht, PDK dhe LDK sot udhëhiqen me mendësinë e OJQve dhe jo të partive politike që synim do të duhej ta kishin marrjen e pushtetit. Në vend që të zotërojnë proceset, të shtynë para agjendën e rrjedhjes së afateve kushtetuese për formimin e Qeverisë, këta nuk merren me aktivizëm politik por kanë rrëshqitur në aktivizëm civil duke bërë deklerata e analiza si OJQtë, të cilat për t’iu rritur gjasat për fonde shkruajnë diçka se si ato angazhohen për të drejtat e komuniteteve.

Nuk rrëzohet Albin Kurti duke e bllokuar konstituimin e Kuvendit për shkak të mospajtimit rreth procedurës si duhet të zgjidhet nënkryetari serb i Kuvendit.

Nuk rrëzohet Albin Kurti duke i bllokuar proceset themelore të shtetit sepse Lista Serbe paska dërgu ankesë në Gjykatë Kushtetuese.

Nuk rrëzohet Albin Kurti duke ia lejuar atij komoditetin që të futet edhe në vitin e gjashtë të mandatit të tij katër vjeçar.

Nuk rrëzohet Albin Kurti vetëm duke u ankuar për të te ambasadat, sepse gjenerata e re nuk pranon më diktat nga të huajtë.

Hashim Thaçi i di të gjitha këto dhe, duke e njohur mirë, jam shumë i bindur që kur të kthehet te zyra e tij në PDK, para se t’ia mësyjë rikthimit në Kryeministri, fillimisht do ta shporrë logjikën alla OJQ nga selia e partisë. Kjo do të jetë dita kur në skenën politike të Kosovës përsëri do të ketë garë mes dy rivalësh të kategorisë së rëndë dhe kur politika përsëri do të bëhet interesant.

Hashim vëllau im, vërtet shpresoj të kthehesh, sepse na duhesh, në mos për asgjë tjetër së paku të kemi për çka të dalim në zgjedhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *