OPINIONTË FUNDIT

Fletushkat e ‘rezistencës’ në veri, paralajmërim për tensione para zgjedhjeve lokale?

“Po tentohet një zhvendosje e vëmendjes drejt problemeve të tyre të brendshme atje, që kanë me qytetarët në Serbi”“Fletushkat e shpërndara në veri të Mitrovicës me thirrje për ‘rezistencë’ përfaqësojnë një formë të qartë të propagandës politike e nacionaliste”
Serbët në Kosovë, në vazhdimësi provokojnë me deklarata, reagime e veprime të ndryshme.

E së fundi, më veri të Mitrovicës, serbët kanë shpërndarë fletushka duke bërë thirrje për rezistencë, pavarësisht se nuk ka asnjë kërcënim ndaj prezencës së tyre.

Ata përmes të tilla mesazheve kërkojnë unitet dhe një shprehje të forcës përmes simbolit të flamurit të Serbisë.

“Njerëz ka ardhur koha! Serbia nuk është lodra e askujt. Mjaftoi heshtja dhe kokat e ulura. Kur populli ynë persekutohet, kur të drejtat dhe dinjiteti ynë shkelen, Është detyra e secilit prej nesh të tregojmë se kujt i përkasim dhe kujt i besojmë. Flamuri i Serbisë sonë nuk është vetëm një copë pëlhure. Është një shenjë lirie, uniteti dhe krenarie”.

“Prandaj, vëllezër dhe motra, le të varim secili prej nesh një flamur në shtëpinë tonë, në dritaren tonë, në makinën tonë, në çdo vend ku mund të shohim se jeton Serbia. Le ta dinë se ne jemi këtu, se ekzistojmë, se nuk do të zhdukemi. Serbia në zemër, flamuri në erë!”, thuhet në fletushkat e shpërndara.

Lidhur me këtë, është kontaktuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e veriut, Veton Elshanin.

Megjithatë ai tha se nuk ka elemente për rast, nga ky zhvillim.

Por, a janë këto sinjale se mund të kemi tensionim të situatës në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe si duhet trajtuar ato, treguan njohësit e sigurisë.

Dashevci: Të hetohet dhe analizohet në lidhje me shkallën e rrezikshmërisë

Së pari, për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.

Ai u shpreh se këto fletushka nuk janë diçka e re, pasi në vazhdimësi serbët kanë bërë kohë pas kohe një veprim të tillë, ndonëse nuk ka asnjë kërcënim ndaj prezencës së tyre.

“Po në pjesën matanë lumit Ibër të Mitrovicës, grupe të panjohura për të satën herë me radhë, deri më sot, kanë shpërndarë dhe po vazhdojnë të shpërndajnë fletushka, duke bërë thirrje këtë herë për rezistencë, pavarësisht faktit se nuk ka asnjë kërcënim ndaj prezencës së tyre. Nuk ka pasur as në të kaluarën ndonjë kërcënim, sepse nuk ka ndodhur asnjë incident etnik tash e sa kohë në atë pjesë të Kosovës”, ka theksuar ai.

Sipas tij, këto veprime të fundi lidhen me luftën hibride që Serbia po bën përmes dezinformatave dhe propagandave, për të nxitur frikë dhe panik.

“Ky viktimizim nga qarqe destruktive mendoj se është thjesht pjesë e luftës së egër hibride të Serbisë, me eksponentët e saj, ose me copëzat e saj kriminale që i kanë mbetur – që, përmes propagandës, viktimizimeve, dezinformatave dhe shantazheve, synojnë të krijojnë huti, pasiguri, frikë dhe panik. Por këto përpjekje nuk kanë sukses në Republikën e Kosovës, sepse nuk ka probleme që cenojnë sigurinë e brendshme – dhe ky është fakt.

Nuk ka incidente etnike.

Pra, po tentohet një zhvendosje e vëmendjes drejt problemeve të tyre të brendshme atje, që kanë me qytetarët në Serbi, me protesta të mëdha dhe të papara deri më sot në atë vend”, nënvizoi ai.

ImageArben DashevciFoto galeri
Krahas kësaj, eksperti tha se këto janë skenarë që lidhen me zgjedhjet lokale.

Ai kërkoi nga institucionet që këto raste të trajtohen dhe hetohen seriozisht, madje edhe të merren masa të duhura.

“Unë mendoj se skenarët e tyre për provokime, edhe tash para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit tek ne në Kosovë, nuk kanë më sukses, për shkak se institucionet tona kanë përvojën, vigjilencën, profesionalizmin dhe preventivën në maksimum në aspektin e sigurisë. Ato kanë bashkëpunim me reagimin e dytë (EULEX) dhe të tretë (KFOR) dhe janë në koordinim të plotë ndërmjet vete kundër çfarëdo tentative për destabilizim të Kosovës.

Unë mendoj se çdo rast në institucionet tona trajtohet dhe hetohet me seriozitet maksimal dhe merren masa të menjëhershme, sepse ato punojnë 24/7 për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.

Ashtu edhe ky rast me këto pamflete të shpërndara trajtohet, hetohet dhe analizohet në lidhje me shkallën e rrezikshmërisë. Për këtë vendosin dhe janë kompetente organet tona të sigurisë, ndjekjes dhe drejtësisë”, përmbylli Arben Dashevci për “Bota sot”.

Gecaj: Propaganda e tillë nuk reflekton realitetin në terren

Ndërsa, eksperti tjetër, Hysen Gecaj potencoi se këto fletushka nuk duhet nënvlerësuar, pasi janë pjesë e një propaganda të qartë.

“Ky është një zhvillim që nuk duhet nënvlerësuar. Fletushkat e shpërndara në veri të Mitrovicës me thirrje për “rezistencë” përfaqësojnë një formë të qartë të propagandës politike e nacionaliste, e cila synon të krijojë klimë tensioni dhe të ushqejë ndjenjën e viktimizimit tek komuniteti serb”.

ImageHysen GecajFoto galeri
Gecaj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” ai përmbledhi në katër pika kyçe këto veprime të serbëve.

Sipas tij, këto zhvillime në thelb përmbledhin: viktimizimin serbë, përgatitjen për skenarë të ndryshëm, ku për këtë kishte një mesazh për institucionet e Kosovës.

“Disa pika kryesore për komentim:

1. Viktimizimi i serbëve

Kjo është një strategji e njohur e Beogradit: paraqitja e serbëve në Kosovë si të “persekutuar” edhe kur nuk ekziston një kërcënim real ndaj tyre. Me këtë diskurs, Serbia përpiqet të mbajë gjallë ndjenjën e pasigurisë dhe të legjitimojë ndërhyrjen e saj politike e mediatike.

2. Përgatitje për skenarë të ardhshëm

Ky lloj retorike shpesh paraprin ngjarje të inskenuara ose provokime, me qëllim të prodhimit të një incidenti që mund të shfrytëzohet në arenën ndërkombëtare. Përvoja ka treguar se fjalori i tillë i paraprin bllokadave, protestave të dhunshme apo tentativave për destabilizim.

3. Institucionet e Kosovës

• Duhet ta marrin seriozisht shpërndarjen e materialeve të tilla.

• Hetimi është i domosdoshëm, jo vetëm për të identifikuar autorët, por edhe për të dërguar mesazhin se shteti nuk lejon propagandë nxitëse të urrejtjes.

• Njëkohësisht, reagimi i institucioneve duhet të jetë i matur, në mënyrë që të mos interpretohet si “presion mbi komunitetin serb””.

Mirëpo, eksperti tha se Kosova nuk duhet të reagojë me nervozizëm, por duhet t’i bëj theksoj disa gjëra.

“Në vend që të reagojë me nervozizëm, Kosova duhet ta theksojë qartë se:

• serbët në Kosovë gëzojnë të drejta kushtetuese e ligjore;

• askush nuk i kërcënon ata për shkak të përkatësisë etnike;

• propaganda e tillë është e importuar nga Beogradi dhe nuk reflekton realitetin në terren”.

Në fund, ai shtoi se hetimet, dokumentimet dhe reagimi diplomatik janë të domosdoshme

“Përfundimisht, këto fletushka nuk janë thjesht “letër pa rëndësi”, por pjesë e një strategjie të gjerë të instrumentalizimit politik të komunitetit serb në Kosovë. Hetimi, dokumentimi dhe reagimi diplomatik janë të domosdoshme për të parandaluar eskalimin e situatës”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *