POLITIKATË FUNDIT

“UÇK-ja u financua nga bandat kriminale”, reagon Basha: Mbaj përgjegjësi vetëm për kapitullin III

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar pas publikimeve në media që lidhen me një punim akademik të tij të vitit 2012.

Në këtë punim në të cilën Dimal Basha është bashkëautor me Jana Arsovska, profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë Penale “John Jay”, thuhet se UÇK-ja kishte bashkëpunuar me kriminelë brenda dhe jashtë Kosovës, përfshirë paratë e drogës.

“Ka pasur akuza të shumta nga agjencitë perëndimore të zbatimit të ligjit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), gjatë ngritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë shqiptarë etnikë brenda dhe jashtë Kosovës”, shkruhej në punim.

Ndërkaq, në reagimin e tij, Basha tha se punimi është shkruar kur ai ishte student dhe se ai mban përgjegjësi vetëm për kapitullin III, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.

Ai theksoi se autorësia e pjesës tjetër i përket vetëm autores, Jana Arsovska, e cila tashmë ka dërguar një email demantues, duke sqaruar se Basha dorëzoi për publikim vetëm kapitullin në fjalë.

“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”, tha Basha.

Ai i kërkoi falje qytetarëve që u shqetësuan nga raportimi i medias dhe bëri thirrje që temat kaq të ndjeshme të trajtohen me saktësi dhe përgjegjësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *