POLITIKATË FUNDIT

“Me profil të pastër nga skandalet” – Një “aksident politik” apo i duhuri për rrethanat aktuale? Komentohet zgjedhja e Bashës në krye të Kuvendit

Dimal Basha u zgjodh të martën (26 gusht) kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Basha u zgjodh në krye të legjislativit me 73 vota për, 30 kundër dhe tetë abstenime duke zgjidhur kështu ngërçin disa mujor, që ishte krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Ishin shumica e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, që e mbajtën premtimin për votën pro një kandidati për kryetar të Kuvendit, që nuk kishte qenë pjesë e ekzekutivit.

Rastësisht apo qëllimisht, nuk dihet, por Vetëvendosje propozoi Bashën për postin e të parit të Kuvendit dhe deputetët nga PDK-ja vendosën që ta pranojnë.

Zgjedhja e Bashës si kryeparlamentar nuk u prit me entuziazëm aq të madh nga bashkëpartiakët e tij dhe ishin të paktë ata që e uruan për postin!

Në anën tjetër, nga kundërshtarët e Lëvizjes Vetëvendosje nisi një “linçim” publik për figurën e Dimal Bashës. Kjo duke ia përdorur deklaratat e mëhershme, por edhe notat në shkollë.

Këtë situatë për gazetën “Bota sot” e ka komentuar publicisti Zejnullah Jakupi.

Sipas tij, zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit ka ngritur diskutime të shumta dhe linçimi publik që po i bëhet në rrjetet sociale e në disa media mund të shihet si simptomë e një klime politike e shoqërore gjithnjë e më të polarizuar në Kosovë.

“Liria e fjalës është thelbësore, por ajo shpesh ngatërrohet me fyrjen, përçmimin apo delegjitimimin personal – sidomos kur bëhet fjalë për figura publike të reja apo më pak të ekspozuara. Linçimi publik që po i bëhet Dimal Bashës më shumë i shërben një kulture të diskreditimit sesa një debati të shëndetshëm mbi meritokracinë apo integritetin e institucioneve. Është një reflektim i dobët i mënyrës si shoqëria kosovare shpesh preferon “personifikimin e problemit” në vend të një analize sistematike të tij”, është shprehur Jakupi.

ImageZejnullah JakupiFoto galeri
Jakupi thekson se zgjedhja e Bashës në postin e të parit të Kuvendit ishte padyshim surprizuese për publikun e gjerë dhe për shumë analistë, por që nga ana tjetër, ai posedon një CV të mirë shkollimi në SHBA.

“Por duhet ta themi se ai nuk ka qenë ndër figurat më mediatike apo më të spikatura në skenën politike, çka ka bërë që shumë ta shohin kandidimin e tij si të papritur – dhe ndoshta të pamjaftueshëm nga pikëpamja e përvojës parlamentare. Por, është gjithashtu e vërtetë që ai ka një profil politik të pastër nga skandalet, një formim profesional serioz, dhe një qasje më teknike se sa politike, gjë që mund të shihet si përpjekje për të sjellë një lloj “normalizimi” në kryesimin e Kuvendit”, ka nënvizuar Jakupi.

Por a ishte Basha një figurë e duhur për postin e kryeparlamentar apo një “aksident politik”?

Për publicistin Jakupi kjo është një pyetje që nuk ka një përgjigje të prerë, sepse varet nga këndvështrimi.

“Nëse e gjykojmë sipas përvojës dhe peshës politike, ndoshta nuk ishte figura më e natyrshme për një post kaq simbolik dhe të rëndësishëm. Kosova, në të kaluarën ka pasur në atë rol figura tjera po ashtu me kredenciale politike dhe publike.

Nëse e gjykojmë sipas nevojës për de-polarizim dhe modelim të një politike më racionale, ai mund të jetë një alternativë e qëllimshme për të shmangur retorikën agresive dhe për të sjellë një ton më institucional.

Në fund të fundit, nëse ky është një “aksident” apo një zgjedhje me strategji të qartë, kjo do të varet nga mënyra si Dimal Basha do të sillet në detyrë. Vetëm koha dhe veprimet konkrete në krye të Kuvendit do të tregojnë nëse ai do të arrijë të fitojë respektin institucional dhe të zbusë skepticizmin që e ka shoqëruar deri tani”, është shprehur ai.

Në vend të linçimit publik, Jakupi konsideron se më mirë do të ishte të ndiqnim me vëmendje punën e tij, t’i kërkonim llogari në mënyrë konstruktive, dhe të shihnim nëse do t’i përgjigjet rolit me pjekuri dhe integritet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *