LVV prezanton kandidatët për asambleistë të Prishtinës, Kurti: Kemi kandidatin që synon transformimin e kryeqytetit
Lëvizja Vetëvendosje po mbanë tubim në Prishtinë aty ku po prezanton kandidatin për kryetar të kryeqytetit dhe kandidatët për asamble të Prishtinës.
Në fjalimin hapës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha fjalë të mira për qeverisjen e tij duke thënë se me vizion një urë që lidh dy brigje ndërtohet brenda një muaji, transmeton KosovaPress.
“Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara si shtet demokratik dhe evropian. Matjet e fundit nga Gallup International tregojnë se shumica e qytetarëve e shohin vendin tonë në rrugën e duhur. Kjo është arritje e madhe dhe është rezultat i punës së përbashkët. Kur ka vizion dhe vullnet një urë që i lidh dy brigje mund të ndërtohet edhe për një muaj”, tha Kurti.
Kurti tha se kandidati për kryetar të kryeqytetit nga radhët e LVV, Hajrulla Çeku ka synim të transformojë Prishtinën.
“Prishtina ka potencial të bëhet një kryeqytet më funksional për përditshmërinë e njerëzve, më i zhvilluar për mirëqenien e qytetarëve. Ne kemi kandidatin tonë që synon ta transformojë Prishtinën, lista për asamblen e Prishtinës është më e përgatitur për nevojat e Prishtinës”, tha Albin Kurti.