Hajrulla Çeku: Prishtina nuk ka kohë për të humbur, është lënë pas dore për katër vite
Lëvizja Vetëvendosje po mbanë tubim në Prishtinë aty ku po prezanton kandidatin për kryetar të kryeqytetit dhe kandidatët për asamble të Prishtinës.
Në fjalimin e tij, kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku tha se Prishtina është lënë pas dore për katër vite, transmeton KosovaPress.
“Prishtina nuk ka kohë për të humbur, kryeqyteti për 4 vite u la pas dore. Kjo garë është e rëndësishme pasi nuk është vetëm për kryetarin, por edhe për kuvendin e komunës ku mirren vendime për shkollat e fëmijëve tanë, për shëndetin e qytetarëve dhe lagjet ku jetojmë çdo ditë. Gjysma e listës sonë janë gra, bartsja e listës është grua. Për LVV Prishtina është zemra e Kosovës. Programi jonë ka tri shtylla të forta: qytet që funksionon, kryeqytet që zhvillohet, Prishtinë që garanton barazinë”.
Çeku prezantoi programin e tij qeverisës, duke thënë se Prishtina duhet të jetë funksionale dhe të garantojë mirëqenie ekonomike për qytetarët e saj.
“Qytetin do ta bëjmë funksional dhe lagjet tona funksionale, qytetin e duam të zhvilluar me mirëqenie ekonomike për të gjithë. Zhvillimin do ta bëjmë duke konsoliduar infrastrukturën duke zhvilluar turizmin dhe TIK-un. Prishtina është qytet i energjive, i energjisë së rinisë, sportistëve, artistëve ndërrmarësve dhe punëtorëve të thjeshtë. Ne ofrojmë drejtim, vizion dhe punë. Prishtina është mirë kur të gjithë fitojnë”, tha Çeku.