POLITIKATË FUNDIT

Kadri Kryeziu: Ky është propozimi për dalje nga bllokada

Ish-kryetar i gjykatës, Kadri Kryeziu ka bërë një propozim i ri për të dalë nga kriza politike duke i dhënë fund bllokadës në Kuvend.

Sipas tij, partitë duhet të dakordohen fillimisht për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, e më pas të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Ai thekson se legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit ka humbur kredibilitetin dhe mandati duhet t’i kthehet qytetarëve, të cilët do të vendosin se kë të shpërblejnë dhe kë të ndëshkojnë.

Postimi i plotë:

PROPOZIM PËR DALJE NGA BLLOKADA

Edhe sikur nesër të gjitha partitë të puthen e të përqafen mes vete, në mirëkuptim e dashamirësi për marrëveshje e konsensus, për disa gjëra është bërë pak vonë. Legjislatura e nëntë, e dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, e ka humbur kredibilitetin për të vazhduar më tutje me procesin e formimit të qeverisë.

Mandati i fituar me 9 shkurt duhet t’i kthehet popullit, në mënyrë që sovrani ta japë verdiktin e vet. Pra kë ta shpërblejë dhe kë ta dënojë për gjithçka që ndodhi gjatë kësaj telenovele pa lidhje në seancën e pafund konstituive të Kuvendit.

Në vend që të kalkulojnë – njëra palë si ta harxhojë afatin 30 ditor për konstituim të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, ndërkaq pala tjetër duke shpresuar që pas 30 ditësh Gjykata mund të bëjë ndonjë akrobaci juridike dhe t’ua kalojë atyre të drejtën e nominimit për Kryetar të Kuvendit – partitë politike parlamentare duhet urgjent të dakordohen për një plan veprimi me dy pika:

1. Votim i përbashkët për Kryetar dhe nënkryetarë të Kuvendit, pra përmbyllje e procesit të konstituimit të Kuvendit.

2. Thirrje e një seance të jashtëzakonshme ku, sipas procedurës së paraparë në nenin 82, pika 2, e kushtetutës, deputetët do të votonin për vetë shpërndarjen e Kuvendit. Pas këtij votimi, Presidentja e dekreton shpërndarjen e Kuvendit dhe, me një dekret të dytë, i shpall zgjedhjet e parakohshme.

Çdo zgjidhje tjetër është si ai gatimi shto miell e shto ujë, një diçka që rrezikon t’i dekurajojë njerëzit nga pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *