POLITIKATË FUNDIT

Lugina e Preshevës bëhet me platformë për raportimin e pasivizimit të adresave nga Serbia

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka ngritur alarmin për procesin e pasivizimit që po ushtrohet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga autoritetet shtetërore të Serbisë, duke e cilësuar këtë si një metodë sofistikuar të spastrimit të heshtur etnik.

Ai shpjegon se, pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara me qeverinë e Beogradit dhe ndërmjetësimit të ambasadave mike, mungesa e vullnetit politik ka bërë që ato marrëveshje të mos respektohen.

“Qeveritë në Beograd, në vazhdimësi dëshmuan se edhe marrëveshjet e nënshkruara, e programet e aprovuara nga vet ajo, i shkelin dhe nuk i respektojnë”, ka shkruar Kamberi.

Ai tregon se pasivizimi i adresave po përdoret si një metodë administrative për shpopullimin e shqiptarëve në këtë rajon.

“Përkundër kësaj, në vend të ndërmarrjes së masave afirmative për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve, Ministria e punëve të brendshme e Serbisë, duke i keqpërdorur në mënyrë drastrike dispozitat e Ligjit për vendbanimin dhe vendqëndrimin ka nisur procesin e pasivizimit të adresave për mijëra shqiptarë, metodë kjo administrative e spastrimit etnik apo shpopullimit të Luginës së Preshevës”, u shpreh deputeti shqiptar.

Ky proces, sipas tij është konsideruar shkelje e të drejtave elementare të njeriut nga përfaqësuesit politik shqiptar, shoqëria civile në Serbi, si dhe nga institucionet ndërkombëtare.

“Prapavija e gjithë këtij marifeti është tentativa që përmes pasivizimit të adresave në mënyrë selektive ndaj shqiptarëve, të krijohet një pasqyrë e rrejshme të strukturës demografike, e cila nuk përkon as për së afërmi me gjendjen faktike në terren”, thotë Kamberi.

Ai fton të gjithë qytetarët e prekur nga ky proces që të raportojnë dhe kërkojnë ndihmë juridike në platformën e hapur nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginë, www.pasivizimi.com

“Për ta eliminuar këtë proces dhe pasojat e tij të dëmshme, për çdo ditë me angazhimit tonë të përditshëm duhet të senzibilizojmë e opinionit kombëtar e ndërkombëtar. Për të qenë i sukseshëm angazhimi jonë për ndërkomëtarizimin e kësaj problematike duhet edhe bashkëpunimi i secilit qytetarë të prekur nga procesi i pasivizimit të adresave. Prandaj, për njoftim të rasteve apo edhe këshilla juridike, ata duhet të paraqiten në platformën e hapur enkas për pasivizimin nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginë www.pasivizimi.com”, ka shkruar Kamberi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *