OPINIONTË FUNDIT

Jo “lotë krokodili” para varrezave të UÇK-së, por drejtësi dhe mirënjohje heroizmit patriotik të tyre/Lavdi e përjetshme!

*** Për hir të simpatisë, të inatit apo të urrjetjes së Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Sali Berishës, Fatos Nanos dhe Edi Ramës… etj., askush nuk ka të drejtë që ta falsifikojë dhe ta retushojë historinë kombëtare dhe shtetërore të Shqipërisë Etnike sipas prirjeve dhe interesave armiqësore ideologjike, politike, ekonomike, tregtare, mafioze, korrupcioniste, partiake, grupore dhe provincialiste etj.

Këtë, duhet ta mbajnë parasysh, edhe bashkëpartiakët, miqtë dhe kundërshtarët opozitarë politikë të Ibrahim Rugovës. Prandaj, qoftë për shkak të “dashurisë platonike” apo makiaveliste të mbështetësëve dhe të adhuruesve bashkëpartiakë të Rugovës, qoftë për shkak të aversionit dhe mërisë politike të oponentëve të ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, askush nuk ka asnjë të drejtë morale e as ligjore, që ta falsifikojnë historinë e Kosovës së viteve 1990-1999, kur populli shqiptar i Kosovës ishte nën shtetrrethimin e hekurt të zjarrit dhe të flakës së barbarisë dhe të hollokaustit çetniko-fashist serbomadh të Serbisë pushtuese dhe agresive të Slobodan Milosheviqit

Kushtetuta pa histori është “ kornizë invalide ” !

Çdo kushtetutë e cilitdo shtet qoftë në botë e ka pjesën historike të saj, por jo edhe Kushtetuta e Kosovës (15.6.2008), së cilës i mungon një pjesë e tillë e historikut të saj (1990-1999).

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 është akt i ligjshëm historik dhe patriotik, por nuk figuron në asnjë rresht të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15.06.2008). Ky skandal juridiko-kushtetues nuk mund të cilësohet ndryshe veçse FALSIFIKIM i turpshëm dhe i papranueshëm i historisë së lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Deklarata kushtetuese e 2 Korrikut 1990-bazament i historisë së pavarësisë së Kosovës

Të gjithë ata liderë politikë (drejtues të shtetit të Kosovës) dhe “ekspertë” të hartimit të Kushtetutës së Kosovës, të cilët me qëllim ( vetëm në shenjë hakmarrjeje të politikës paqësore dhe demokratike të ish-presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova) e kanë bërë këtë falsifikim të historisë së Kosovës, nuk e kanë vendin as në ndonjë parti politike, as në qeveri, as në kuvend, as në presidencë, as në Akademi e as Universitetin e Kosovës, sepse kanë falsifikuar historinë e Kosovës, ashtu sikurse historia falsifikatore e Serbisë, ASHAS-së, KOS-I, politika, propaganda dhe diplomacia e shtetitë të Serbisë (1912-2016).

Post festum, për të korrigjuar këtë gabim politik, juridiko-kushtetues, kombëtar dhe shtetëror, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, nevojitet që urgjentisht të reagojë përmes aktit të saj zyrtar, drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për të ndryshuar Kushtetutën e Kosovës , me qëllim që të plotësohet me PJESËN HISTORIKE të saj të periudhës 1990-1999, që bazohet në aktet dhe në dokumnetet historiko-politike, juridike, kushtetuese dhe demokratike dhe paqësore të shpalljes së Republikës së Kosovës: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990; Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990, si dhe Referendumi gjithëpopullor i 26-30 shtatorit 1991, të mbështetura dhe të votuara nga mbarë populli liridashës i Kosovës.

Derisa kjo PJESË historike i mungon Kushtetutës së Kosovës (15.06.2008), nuk di se çfarë kuptimi dhe dmomethënie ka rikujtimi i datës historike 2 Korrik 1990, kur Deklarata Kushtetuese e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tanimë, në kohë paqeje (16 vjet pas përfundimit të luftës) ka ngelur jashtë përmbajtjes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, domethënë jashtë HISTORISË së re të Kosovës (1990-2016).

Pra, derisa Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut e datës 7 shtator 1990, si dhe Referendumi i bërë më 26-30 shtator 1991, ku mbi 90% e popullit shqiptar votoi për shpalljen e Republikës së Kosovës, nuk përfshihen në pjesën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15.06.2008), duartorkitja e tyre nga kuvendarët e legjislaturave të ndryshme të derisotme, është vetëm një djallëzi, hipokrizi, telendisje politike dhe padrejtësi sui generis ndaj historisë së Kosovës (1990-1999).

Pa sanksionimin e Deklaratës Kushtetuese 2 korrik 1990, të Kushtetutës së Kaçanikut 7 shtator 1990, si dhe të Referendumit gjithëpopullor 26-30 shtator 1991 në PJESËN HISTORIKE të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15.06.2008), përditë, mund të bëhen seanca kuvendesh, qeverish, shoqatash e partish politike etj. në shenjë nderimi dhe respekti të tyre, por juridikisht nuk kanë kurrfarë vlere, sepse janë lënë jashtë Kushtetutës së Kosovës në fuqi.

Derisa këto tri akte historiko-politike, kushtetuese dhe demorkatike, të mos sanksionohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), historia e re e Kosovës de fakto dhe de jure konsiderohet e falasifikuar, pavarësisht nga deklaratat boshe të disa liderëve politikë të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, të cilët, në vend se të kërkonin ndryshimin dhe amendamentimin e Kushtetës në fuqi, me qëllim të përfshrijes së këtyre tri dokumenteve thelbësore të historisë, të politikës, të drejtësisë, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, ata, në mënyrën më hipokrite, demagogjike, antikombëtare dhe antidemokratike kinëse organizojnë seanca parlamentare dhe tubime të ngjashme, ku thërrasin edhe ish-deputetët e gjallë të Kuvendit të Kosovës (1990-1991), gjoja për t’u shprehur mirënjohje dhe për t’ua njohur meritat historike dhe politike për shpallljen e Republikës së Kosovës në bazë të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, të Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 dhe të Referendumit të dates 26-30 shtator 1991.

Nuk ka asnjë dyshim se, Deklarata kushtetuese e 2 Korrikut 1990, është bazamenti historik dhe politik i pavarësisë së Kosovës. Ky akt historiko-politik, juridik, kushtetues dhe demokratik së bashku me Kushtetutën e Kaçanikut (7 shtator 1990) dhe me Referendumin gjithëpopullor (26-30 shtator 1991), duhet të jenë pjesë e Preambulës së Republikës së pavarur të Kosovës ( 15 qershor 2008).

Kjo pjesë e historisë së Kosovës së sotme të lirë dhe të pavarur, nuk mund të falsifikohet, sepse themelet politike, juridike dhe kushtetuese, datojnë që nga 2 Korriku historik 1990, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në qendër të sheshit të Prishtinës (në rrugë, para kërbaçit, tytave të pushkëve dhe të tankeve policore dhe ushtarake të regjimit shtypës gjenocidal dhe pushtues të Serbisë së Slobodan Milosheviqit) shpallën Republikën e Kosovës.

Prandaj, kjo pjesë e historisë së sotme të Republikës së Kosovës, nuk mund të heshtet, të minimizohet, të minohet, të falsifikohet dhe të mistifikohet ngase është pjesë e pandashme e përpjekjeve, e sakrificës dhe e qendresës së përbashkët gjithëpopullore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Vetëm regjimi kriminel pushtues gjenocidal i Serbisë pushtuese të Slobodan Milosheviqët i pat denoncuar dhe hedhur poshtë: 1) Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës (2 korrik 1990), 2) Kushtetutën e Kaçanikut (7 shtator 1990) dhe 3) Referendumin gjithëpopullor për pavarësimin e Kosovës nga Serbia kolonialiste (26-30 shtator 1990), sepse përbënin fundamentin historik dhe ligjor të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

Derisa regjimi policor fashist pushtues i Serbisë së Slobodan Milosheviqit i ka gjykuar dhe mohuar aktet e mësipërme historike, politike, juridike dhe kushtetuese të popullit shqiptar të Kosovës, atëherë, logjikisht, as ligjërisht, asnjë qeveri shqiptare e Kosovës së sotme nuk e gëzon të drejtën që këto akte historike, t’i flakë nga faqet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), sepse do të përligjte politikën gjenocidale dhe agresive antishqiptare të Serbisë së Slobodan Milosheviqit në mohimin e pavarësisë së Kosovës.

Vetëm ata që nuk kanë bërë histori e falsifikojnë historinë; vetëm ata që kanë tradhtuar luftën, e mohojnë luftën e UÇK-së!

Kushtetutat mund të shkruhen, të ndryshohen dhe të falsifikohen nga tuxharët e ndryshëm të politikës ditore, por historia e shkruar me gjak dhe me sakrifica mbinjerëzore e popullit shqiptar si në Kosovë, ashtu edhe në trevat e tjera të Shqipërisë Etnike, nuk mund të ndryshohet dhe të mohohet as nga klikat e përkohshme të qeverive të ndryshme shqiptare e as nga armiqtë shekullorë kolonialistë dhe imperialistë sllavë të Ballkanit.

Prandaj, askush nga liderët e sotëm politikë të Kosovës, nuk e ka të drejtën e diskrecionit, që këto tri akte, t’i injorojnë dhe t’i mohojnë, duke i përjashtuar nga Kushtetuta e 15 qershorit 2008, sepse në atë rast, me vetëdije, do të vinin në pikëpyetje historikun e lavdishëm të sakrificës, të përpjekjeve të pareshtura dhe të përgjakshme, si dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të popullit shqiptar të Kosovës për t’i dhënë fund robërisë nën Serbinë kolonialiste.

– Ata që e falsifikojnë dhe e retushojnë historinë e Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike, mund të jenë gjithçka (politikanë, biznesmenë dhe tuxharë të aftë “sipas motit, ktheje gëzofin”-ecën me kohën sipas interesit të xhepit dhe të luftës së ethshme për pushtetit), por jo, assesi, edhe patriotë dhe demokratë të mirëfilltë dhe të ndershëm, sepse ndërrimi i tezave dhe i koncepteve të tyre politike dhe historike, është simetrik me ato të politikës dhe të kuazi-shkencës falsifikatore serbomadhe të mohimit dhe të sofistikimit të së vërtetës historike mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë Etnike.

Na pëlqeu, nuk na pëlqeu, e pranuam apo nuk e pranuam, mospërfshirja e akteve të theksuara në pjesën historike të Kushtetutës së Kosovës (15 qershor 2008), është një falsifikat sui generis nga ana e politikanëve dhe e juristëve konstitucionalsitë të “formatit” kardelist. Vetëm këta, duhet t’i japin shpjegime popullit të Kosovës pse politikisht dhe juridikisht i kanë injoruar këto akte të rëndësishme historike për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Një veprim i këtillë absurd, amoral, antiligjor dhe antikombëtar, është i papranueshëm për historinë e sotme të Kosovës, sepse është simetrik me aktvendimet policore, politike, juridike dhe gjyqësore të regjimit të Republikës së Serbisë së Slobodan Milosheviqit, e cila i përtrollisi prerazi si ilegale, si Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ashtu edhe Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, si dhe Referendumin gjithëpopullor shqiptar, bërë më 26-30 shtator 1991, sepse ishin në funksion të shkëputjes së Kosovës nga zinxhirët e përgjakshëm të kolonializmit 100-vjeçar të Serbisë.

Nuk është e çuditshme, pse Serbia gjenocidale e Slobodan Milosheviqit dhe, më pas kryeshefi i UNMIK-ut, Bernard Kushner, u hoqën vizë të kuqe UÇK-së, si dhe akteve historiko-politike, juridike dhe kushtetuese të Kosovës (Deklarata kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçaniut e 7 shtatorit 1990 dhe referendumi gjithëpopullor i 26–30 shtatorit 1991) mbase të gjitha këto ishin në funksion të deserbizimit dhe të pavarësimit të Kosovës.

Një politikë e këtillë kontestuese dhe mohuese e së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve të Kosovës nga ana e Serbisë kolonialiste dhe nga Rezoluta 1244 e KS të Kombeve të Bashkuara, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por për çudi dhe për “ahmaki” politiko-juridike dhe kushtetuese, është përfshirë në Rezolutën e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008, vërtet, është e papranueshme, sepse është në kundërshtim me të drejtën historike dhe me të drejtën e vetëvendosjes ngase Kosova plot 100 vjet ishte plaçkë koloniale e Serbisë.

Gjithashtu, është e çuditshme, befasuese, skandaloze dhe e papranueshme si moralisht, kombëtarisht, ligjërisht, ashtu edhe politikisht e juridikisht, pse vetë politikanët dhe konstitucionalistët e pushtetit të sotëm në Kosovë, nuk i kanë sanksionuar në Kushtetutën e 15 qershorit 2008: 1) Deklaratën kushtetuese të 2 korrikut 1990, 2) Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 dhe 3) Referendumin gjithëpopullor të 26-30 shtatorit 1991.

Së fundi, sido që ta kenë “justifikuar” këtë akt antihistorik, antijuridik, antikombëtar dhe antikushtetues mbidemokratët, mbipatriotët, mbipolitikanët, mbidiplomatët dhe mbikonstitucionalistë, Kuvendi historiko-politik-kushtetues dhe kombëtar i Kaçanikut i hodhi themelet historike për shkëputjen e Kosovës nga Serbia kolonialiste dhe pushtuese, kurse UÇK-ja së bashku me Amerikën dhe me NATO-n i vunë kapak (e mbyllën) përgjithmonë statusin e lirisë, të pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës, duke e shpëtuar nga Serbia gjenocidale dhe hegjemoniste (1912-1999).

Këtë, asnjeri dhe, asnjë politikë në botë, nuk do të ketë fuqi, që ta shlyejnë nga faqet e ndritshme të historisë kombëtare shqiptare të Kosovës – Shqipërisë Etnike.

(Nga libri “ Ribashkimi i Shqipërisë Etnike qetëson Ballkanin, 2025, ribotim)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *