POLITIKATË FUNDIT

Inatçorët, hileqarët, intrigantët dhe ziliqarët e Kosovës!

Nëse studiuesit e historisë, psikologjisë, politikës dhe antropologjisë shqiptare do të donin të nxirrnin përfundime interesante rreth inatit shqiptar, intrigave, hileve dhe zilive të tyre, rasti më i mirë për hulumtim do të ishte bllokada inatçore politike për krijimin e institucioneve të shtetit të Kosovës në këto gati tre muaj. Fituesi, në këtë rast Partia Lëvizja për Vetëvendosje dhe koalicioni i saj, sipas kushtetutës ka të drejtën të propozojë dhe mandatojë kryetarin e parlamentit dhe rë garantojë votat për zgjedhjen e qeverisë. Në 55 seanca parlamentare ndodhi pikërisht kjo. VV propozoi kandidaten e saj, Albulena Haxhiu. Dhe megjithatë nuk u votua. Opozita e bllokoi dhe nuk dha votën për zonjën Haxhiu, sepse, siç thoshte ajo, “zonja Haxhiu nuk është një figurë konsensuale”!

Të mërkurën ndërroi emri i kandidat(es)it. Donika Gërvalla u paraqit si kandidaturë e dytë për postin e kreut të Kuvendit të Kosovës. Opozita votoi sërishmi kundër. Edhe Donika, mesa duket do të cikësohet si një figurë “jokonsensuale”! Nëse do të kandidonte Rakiqi, a do ta quante opozita “një figurë jokonsensuale”?! Po zonja Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, a do t’i kishte mbajtur shënim deklaratat anti-Kosovë të Rakiqit për ta justifikuar mos dhënien e votës për të?! Dyshoj se do të silleshin opozitarët e Kosovës edhe me bashkëpunëtorin e Milan Radoiçiq në formën që u sollën me Donika Gërvallën, vajzën e kryetrimit dhe kryeheroit të kombit tonë, Jusuf Gërvalla. Të mërkurën nuk votuan Donika Gërvallën edhe deputetët serbë të Listës Srpska, së bashku edhe me Fatmir Limajn, që jep leksione athetarie në ekrane televizive Këta të gjithë bashkë të mërkurën i bënë një atentat të dytë Jusuf Gërvallës. Turpi u përket atyre! Për çfarë? Për inat! Pse do jesh ti e nuk do jem unë kryetar parlamenti!!! Dhe me metoda intrigantësh! Turpi i botës! Historia ka me shënu këtë ditë si njollë të zezë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë!

Albulena i dha fund maratonës së votimit për këtë post. Doli para gazetarëve krejt e qetë dhe pa asnjë lloj emocioni inatçarësh tha se “E kuptuat se opozita nuk kishte asgjë me mua (Albulenën), por me Vetëvendosjen”?! Mos-votimi i Donika Gërvallës nuk ka arsyetim tjetër, edhe pse Lumiri e Memli dalin e thonë se “Albini e ka bllokuar krijimin e institucioneve”! I thanë Albinit ndrysho kandidaturën dhe ai e ndryshoi. Zoti nuk rrehet, e ndryshoi, sepse e detyroi Gjykata Kushtetuese. Por e ndryshoi. I thanë vazhdo vetimin e hapur dhe për këtë e detyroi sërishmi Gjykata Kushtetuese. Por sërishmi opozita votoi kundër. Jo vetëm kundër Albin Kurtit! Jo vetëm kundër Donikës! Por edhe kundër Jusuf Gërvallës! Pse? Për inate politike! Për hakmarrje! Për të krijuar kriza artificiale dhe për ta bërë Kosovën “delen e zezë” të rajonit. Madje në një kohë kur delja e zezë e rajonit është armiku i Kosovës, Serbia e Aleksandër Vuçiq! Gjithmonë Beogradi ka ditur dhe ka mundur që kur bëhet Serbia “dele e zezë”, ta nxijë edhe Kosovën!

E kanë krahasuar Albinin me Milosheviçin, me Vuçiqin e me çdo ekstremist e kriminel serb. Dhe kush? Ata që kishin bahskëpunuar me kryekriminelin dhe kryeterroristin e Banjskës, Radoiçiq-in! Për inat të bashkëpunimit me Milanin, e bënë Albinin madje bashkëpunëtor të Aleksandrit! Për inat të stabilitetit në Kosovë, bllokuan e bllokojnë krijimin e institucioneve! Për inat se Albini nuk është marrë shumë me ish-bashkëpunëtorin e tij partiak, Rexhep Selimi, gruaja e Rexhepit voton kundër Donikës! Për inat të suksesit të Albinit bllokojnë krijimin e institucioneve. Dhe ky bllokim është llogaritur të ndodhë me zgjedhjen e kreut të parlamentit. Sepse e shohin se në rastin e krijimit të qeverisë e kanë të zorshme ta bëjnë këtë. Sepse qeveria ka shumë llokma e mund të joshë shumë deputetë të votojnë krijimin e qeverisë së re.

Kur nuk e mund dikë me drejtësi, atëherë i ligu i drejtohet ligësisë dhe intrigës. Kjo ndodh edhe në lojërat sportive dhe argëtuese. Por në këtë rast studimor ka shumë fakte e të dhëna të shihet se si intriga dhe ligësia përdoren në duelin politik. Të pazotët për të marrë votat, bëhen bashkë për ta mundur me hile politike kundërshtarin! Kjo është ajo që po ndodh në Kosovë. Mos-votimi i Donika Gërvallës është dëshmia e fundme e veprimit inatçor! Ndoshta edhe Albin Kurti nesër mund të përdorë metoda të tilla inatçore dhe ligësie, por do të jemi këtu dhe ju siguroj se nuk do ta kurseja as atë nga qortimi i rreptë për këtë! Sot është radha që ta qortojmë fort opozitën dekonstriuktive të Kosovës. Madje në një kohë kur po diskutohen fatet e rendit të ri botëror dhe në kohë zhvillimesh dramatike gjeopolitike!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *