A duhet partitë të jenë më bashkëpunuese për konstituimin e Kuvendit?
Risia e vetme në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 20 gusht, ishte propozimi i një emri tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç atij të Albulena Haxhiut, për kryekuvendare. Pavarësisht se disa e panë si hap pozitiv, partitë tjera të mëdha shqiptare mendojnë ndryshe. Pse nuk janë të gatshme për kompromis? A kanë edhe ato përgjegjësi për bllokadën e krijuar?
As aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese, dhe as disa javë pushim nga vazhdimet e seancës konstituive, duket se nuk iu shërbyen deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të reflektuar për zhbllokimin e krizës institucionale.
Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e propozoi, përveç Albulena Haxhiut, edhe Donika Gërvallën për kryekuvendare më 20 gusht, epilogu ishte i njëjtë: asnjëra nuk i siguroi 61 votat e nevojshme.
Partitë tjera sërish nuk ndryshuan mendje. Secila e ka një arsye, dhe nuk i merr parasysh përgjegjësitë që qytetarët ia vunë mbi supe për formimin e institucioneve dhe për përfaqësimin e tyre në to.
Kushtetuesja përcaktoi që deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në seancën konstituive, që një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë nga partia fituese, dhe që procesi duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh – në këtë rast deri më 17 shtator, në mesnatë.
Në aktgjykim, gjykata vlerësoi se konstituimi është në shërbim të përmbushjes së detyrimit kushtetues dhe e rikujtoi Nenin 74 të Kushtetutës, i cili përcakton se deputetët “ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”.
Pozicionet e partive
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ngulmojnë se nuk votojnë kandidatë të LVV-së që kanë qenë pjesë e qeverisë në legjislaturën e kaluar.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vazhdon t’i qëndrojë besnike qëndrimit që nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV-së, përderisa të mos ketë marrëveshje për një qeveri të unitetit.
Nisma Socialdemokrate thotë se do të abstenojë, derisa të arrihet një marrëveshje politike.
Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, mendon se ish-opozita po tregohet korrekte, dhe akuzoi LVV-në për zvarritje të qëllimshme, “për të mos e lejuar konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e afateve ligjore për formimin e qeverisë”.
Disa tjerë argumentojnë se rivalëve të LVV-së iu konvenon bllokada, pasi edhe nëse do të bëheshin të katërtët bashkë – PDK, LDK, AAK dhe Nisma – do t’i kishin gjithsej 52 vota, të pamjaftueshme për të formuar vetë ndonjë qeveri eventuale.
A kanë partitë qëndrime të sinqerta?
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, nuk mendon ashtu.
“Në radhë të parë, limitimi i emrave vetëm te kandidatët të cilët nuk kanë pasur, apo nuk kanë pozita ministrore, ngre pyetjen se a do të ishin të pranueshëm të gjithë 35 deputetët tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë vetë zotin [Avni] Dehari, i cili është konstatuar se e ka shkelur Kushtetutën?”.
Ai e përmend obligimin e përcaktuar nga Kushtetuesja që të gjithë deputetët të veprojnë në mirëbesim, ndonëse beson se ata të LVV-së kanë më shumë përgjegjësi, sepse kanë më shumë vota.
“Më shumë sesa për çështje procedurale dhe për përmbushje të obligimeve kushtetuese, ajo çfarë po e karakterizon situatën e tanishme është mungesa e plotë e vullnetit politik për të dalë nga kjo situatë, sepse të gjitha partitë duket se garën e kanë se kujt do t’i mbetet faji në rast të dështimit përfundimtar për konstituimin e Kuvendit, dhe eventualisht për shkuarjen në zgjedhje”.
Për LVV-në, mungesa e votave në të mirë të kandidaturës së Gërvallës dëshmon se problemi nuk ka qenë te emri i Haxhiut, prandaj i ka akuzuar partitë tjera për bllokim të formimit të institucioneve.
Vetë Haxhiu ka thënë se e drejta për të propozuar emrin e kryekuvendarit i takon ekskluzivisht LVV-së, dhe se partitë tjera nuk kanë hise aty.
Por, Cakolli kujton se Kushtetuesja e ka ngritur çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në nivel kushtetues, rrjedhimisht nevojën për një marrëveshje politike.
“Në fund të ditës është pozitë politike, dhe për sa kohë që nuk është emërim, por është votim, nuk mund të pretendohet që vetëm pse e ka të drejtën LVV-ja, e ka të garantuar zgjedhjen e cilitdo prej kandidatëve”.
Ai beson se edhe një aktgjykim i vitit 2014 është pjesërisht fajtor për situatën e krijuar: “Në esencë është jodemokratik, sepse e kufizon propozimin vetëm te partia e parë”.
A janë zgjedhjet zgjidhje?
Edhe Cakolli, sikurse shumë njohës tjerë të çështjeve politike, beson se kriza aktuale do të përfundojë me shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare – si pasojë juridike që do të përcaktohej nga Kushtetuesja.
Ata aludojnë në këtë përgjigje të mundshme të gjykatës ndaj një kërkese tashmë të tërhequr të presidentes Vjosa Osmani, se cilat janë pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afateve të përcaktuara. Pavarësisht tërheqjes së lëndës, gjykata ka të drejtë ta trajtojë atë.
Njohës të çështjeve kushtetuese besojnë se mosrespektimi i afatit 30-ditor, i vendosur nga Kushtetuesja, do të përbënte shkelje të normave kushtetuese.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasada e Italisë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se po i ndjekin nga afër zhvillimet në këtë drejtim, dhe u kanë bërë thirrje deputetëve të veprojnë me përgjegjësi për t’i respektuar afatet ligjore.