TË FUNDIT

Klani “Pronto” – simbol i kapjes së drejtësisë

Klanet politike e shohin gjykatën si zyrë private, ku urdhrat jepen jo në emër të popullit, por në emër të partisë.
Rasti i fundit në Gjilan zbërtheu kthetrat e drejtësisë së kapur. Ky sistem është sinonim i klanit “Pronto”. Drejtësia në Kosovë nuk është e pavarur, as e verbër – është e kapur. Sot nuk ka asnjë dyshim se klani “Pronto”, simbol i kapjes së shtetit, ka shtrirë tentakulat e tij deri në zemër të sistemit gjyqësor.

Ata që dikur dëgjoheshin në përgjime duke qeshur me fatin e qytetarëve, sot qeshin edhe më hapur: duke vendosur kush hetohet e kush lirohet, kush dënohet e kush shpëton. Në këtë vend, drejtësia nuk jepet mbi bazën e ligjit, por mbi bazën e telefonatave, dosjeve të mbyllura në sirtarë dhe marrëveshjeve të errëta. Prokurorë e gjyqtarë që duhej të ishin kështjella e ligjit, janë shndërruar në vegla të bindura të pushtetit politik. Klanet politike e shohin gjykatën si zyrë private, ku urdhrat jepen jo në emër të popullit, por në emër të partisë.

Rasti “Pronto” nuk është vetëm një skandal i së kaluarës, por është pasqyra e së tashmes. Sot, çdo qytetar e di se pa lidhje politike nuk ka drejtësi, se ligji është vetëm për të dobëtit, ndërsa të fortët janë të paprekshëm. Nuk ka rast më të rëndë korrupsioni institucional sesa fakti që vetë drejtësia është kthyer në peng të klaneve që udhëheqin Kosovën. Kjo kapje është krimi më i madh i tranzicionit, sepse pa drejtësi nuk ka demokraci, pa drejtësi nuk ka liri, pa drejtësi nuk ka të ardhme.

Klani “Pronto” e ka kthyer drejtësinë në mall të shitjes, në pazarin më të pistë të kësaj shoqërie. Dhe derisa kjo gjendje vazhdon, çdo premtim për shtet ligjor mbetet fjalë e zbrazët.

Nëse nuk çlirohet drejtësia nga kthetrat e “Pronto”-s, Kosova do të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit. Çlirimi i drejtësisë është beteja më e madhe e shoqërisë sonë, beteja pa të cilën çdo betejë tjetër është e humbur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *