Çka do të ndodhë nesër? Alarmon Preqi: Objektiv kryesor i opozitës mbetet përmbysja e pushtetit të Albin Kurtit
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër (e mërkurë) 20 gusht, do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive.
Seanca do të zhvillohet në sallën plenare, duke filluar nga ora 11:00.
Sipas rendit të ditës, deputetët pritet të votojnë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, si dhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ky zhvillim erdhi pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë idhur me bllokadën institucionale.
Tashmë ka Kushtetuesja ka përcaktuar që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur dhe brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Ende mbetet e paqartë nëse ky aktgjykim është i pranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, apa do përsëritet disa muajshe në bllokada.
Analisti politik Dedë Preqi, në një prononcim për gazetën « Bota Sot », ka folur për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të fundit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
ImageDedë Preqi
Ai ka theksuar se vendi po përballet me një ngërç të rëndë politik, i cili sipas tij është pasojë e sjelljes së vetë deputetëve të zgjedhur.
“Pas zgjedhjeve të fundit në shkurt të këtij viti, me rastin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, Kosova po përjeton një ngërç të rëndë politik nga vetë deputetët e saj të zgjedhur, duke shkaktuar një bllokadë institucionale, e cila është shndërruar në një element urrejtjeje e mospajtimi mes partive politike. Gjegjësisht, e gjithë opozita, që nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, i janë revanshuar partisë fituese Vetëvendosje, duke mos e votuar kandidaten Albulena Haxhiu, të propozuar për kryetare të Parlamentit”, ka thënë Preqi për “Bota sot”.
Ai kujtoi se gjatë periudhës 15 prill – 26 korrik janë mbajtur 54 vazhdime të seancave konstituive, por as votimi i hapur e as ai i fshehtë nuk sollën rezultat, pasi deputetët e opozitës e refuzuan krijimin e komisionit për votim të fshehtë.
“Nga 15 prilli deri më 26 korrik të këtij viti janë mbajtur 54 vazhdime të seancave konstituive të Kuvendit. Kryesuesi i Kuvendit, pas votimit të hapur, ndryshoi rendin e ditës nga votim i hapur në votim të fshehtë, por edhe kjo formë nuk e ndryshoi rezultatin, sepse deputetët e opozitës nuk e votuan komisionin për votim të fshehtë. Opozita iu qëndroi synimeve të veta deri në shkaktimin e bllokadës, duke kërkuar ndihmën e Gjykatës Kushtetuese.
Me publikimin e aktgjykimit të saj, Gjykata Kushtetuese e përcaktoi pak më qartë rrugëtimin e zgjidhjes së këtij ngërçi, duke bërë obligative zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përmes votës së hapur brenda një afati prej 30 ditësh, dhe kandidati i propozuar për kryeparlamentar ka të drejtë të votohet vetëm deri në tri herë”, ka nënvizuar Preqi.
Preqi shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është mirëpritur nga opozita, e cila e sheh veten si fituese dhe ka shpallur të pavlefshme të gjitha seancat e mëparshme, për të vazhduar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
“Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e mirëpritën në veçanti deputetët e partive opozitare, të cilët ndihen edhe fitues, apo ngadhënjyes të këtij aktvendimi, duke lënë sipas tyre si fajtore të gjithë kësaj rrëmuje dhe ngërçi politik Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas këtij vendimi, të gjitha seancat e deritanishme shpallen të pavlefshme, për të proceduar më tej me pikën 3–4 të rendit të ditës, që ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, ka shtuar ai.
Megjithatë, analisti ngriti dilema për vonesën e Gjykatës Kushtetuese në dhënien e këtij sqarimi, duke theksuar se mungesa e formimit të qeverisë e ka futur Kosovën në një situatë të palakmueshme me pasoja institucionale dhe ekonomike.
“Por çfarë nxjerr tani në pah vendimi i Gjykatës Kushtetuese? Asaj do t’i shtrohen shumë pyetje për kohën dhe vonesën e dhënies së një qartësimi më të plotë e më të përpiktë më herët, sepse mungesa e formimit të qeverisë së re dhe institucioneve të vendit e ka dërguar Kosovën në një situatë të palakmueshme, me pasoja institucionale dhe ekonomike. Këtë gjë e dëshmojnë tregues të ndryshëm, por një gjë është e qartë: Opozita e kaluar dhe e tanishme, me politikat e saj në dispozicion, nuk ka ndryshuar qasje dhe duket se është e interesuar më shumë të kthehet në pushtet, sesa të shqetësohet për problemet dhe mirëqenien qytetare. Objektivi kryesor i saj mbetet përmbysja e pushtetit të udhëhequr nga Albin Kurti”, ka shtuar ai.
Në fund, analisti Dedë Preqi shtriu pyetjen se “A do të përsëritet bllokada në Kuvend edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?”
“A do të përsëritet bllokada në Kuvend edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila është organi më i lartë juridik i vendit dhe garantuese e rendit kushtetues, zbatimi i tyre varet nga respektimi i plotë i normave që ajo përcakton. Përndryshe, gjithçka mund të përsëritet pikërisht nga ata që vetë abuzuan dhe shkelën rregullat e saj, e më pas kërkuan ndihmën e Kushtetueses, sepse ende nuk e kanë të qartë rrugën politike ku duan të aktualizohen dhe të drejtohen”, ka përfunduar Preqi.