BIRN reagon pas fushatës shpifëse të Lirim Mehmetajt kundër muzeut për krime lufte “Reporting House”
Më 17.08.2025 Lirim Mehmetaj, në një postim në rrjetin social Facebook, pa një verifikim paraprak ka vazhduar sërish me fushatë shpifëse, tash lidhur me muzeun për dokumentimin e të kaluarës dhe krimeve të luftës “Reporting House”.
Projekti i cili dokumenton krimet e luftës në Kosovë është vënë në shënjestër të shpifjeve të vazhdueshme të Mehmetajt, i cili çdo mbështetje të institucioneve publike për muzeun synon ta kthejë në një aferë korruptive, pa asnjë bazë faktike dhe pa asnjë provë.
Në postimin e datës 17 gusht 2025, Mehmetaj, i cili ishte edhe iniciatori i fushatës me shpifje për kualifikimin për përkrahje financiare të muzeut nga Ministria e Kulturës, ngriti një pretendim tjetër të pavërtetë për hapësirat me qira të cilat do të shfrytëzohen për muzeun “Reporting House” në hotelin “Grand Hotel”.
Për të sqaruar për opinion, kërkesa për të marrë me qira hapësirat në aneksin e hotelit “Grand Hotel” në dy katet e fundit – ku për herë të fundit ishte ekspozuar ekspozita kulturore e Manifestës më 2022 – është dorëzuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit nga Komuna e Prishtinës.
Komuna e Prishtinës është pjesë e mbështetjes për muzeun “Reporting House” dhe është zotuar se do ofrojë hapësirat për vendosjen e muzeut në hapësira publike të komunës dhe institucioneve gjegjëse.
Në muajt e fundit, hapësira momentale në të cilën është vendosur muzeu – ndërtesa e ish-“Gërmisë”, e cila është në pronësi të Komunës së Prishtinës – është duke u rinovuar. Muzeu është paraparë të ketë hapësirë alternative gjatë renovimeve në këtë ndërtesë, që mund ta detyrojnë “Reporting House” të mbyllet.
Mbi zotimin që Komuna e Prishtinës ka dhënë para donatorëve, është kërkuar nga AKP që të marrë me qira të përballueshme hapësirat në hotelin “Grand Hotel”, të cilat do të përdoren për vendosjen e muzeut. Shih vendimin publik të publikuar nga AKP në link.
Sipas rregullores për qiradhënien e pronave të administruara nga AKP, kur institucionet publike marrin hapësira me qira ato nuk i nënshtrohen çmimit të tregut, por zhvillohen në bazë të mundësive dhe kërkesave buxhetore, sidomos për aktivitete që nuk gjenerojnë profit dhe të cilat janë në interes të publikut, duke pasur natyrë arsimore, kulturore, historike apo artistike.
Në këtë situatë, BIRN nuk është as qiraxhi dhe as nuk realizon përfitim nga kjo qira. Siç shihet nga vendimi i AKP-së, BIRN është zotuar të kryejë një investim prej rreth 100 mijë eurosh në hapësirat e reja të muzeut, të cilat do të marrin kohë për renovime në pjesën e aneksit të dy kateve të fundit të hotelit “Grand Hotel”, ku momentalisht nuk shkon as lifti i hotelit sepse janë hapësira të pamirëmbajtura dhe të pafrekuentuara.
Këto mjete të siguruara nga donatorët e muzeut do të jenë një investim për të zhvilluar tutje projektin e muzeut të reporterëve dhe aktivitetet në dokumentimin e krimeve të luftës dhe rezistencës së viteve ‘90.
BIRN është i shqetësuar nga fushata e orkestruar e individëve dhe disa mediave, të cilët në mënyrë konstante synojnë të dëmtojnë projektin e muzeut “Reporting House”.
Para se të gjykohet mbështetja që institucionet publike i kanë dhënë këtij projekti, duhet të potencohen disa informacione bazike për projektin:
– Muzeu “Reporting House” është projekti më i madh i dokumentimit të krimeve të luftës i realizuar në vitin e fundit në Kosovë dhe paraqet një format unik që ka rezultuar me muzeun më të vizituar në këtë temë.
– Muzeu i vendosur në ish-shtëpinë e mallrave në Prishtinë, që nga hapja (1 vit) e deri më sot, është vizituar nga mbi 11,000 njerëz lokalë dhe nga jashtë, që paraqet numrin më të madh të vizitorëve për një vit në një muze në Kosovë.
– Muzeu ka arritur të mbledhë arkivat kryesore të dokumentimit të gazetarëve që nga vitet ‘90 dhe ka sjellë në Prishtinë relikte të krimeve të luftës nga mbi 10 shtete.
– Muzeu grumbullon materiale të mbi 100 gazetarëve që raportuan për luftën dhe krimet e luftës në Kosovë, duke digjitalizuar për herë të parë mbi 35 orë material të xhiruar nga mediat e huaja në Kosovën e viteve ‘90.
– Brenda vitit të parë të ekzistimit, muzeu ka zhvilluar mbi 30 organizime publike për të shënuar krimet e luftës dhe për t’i dokumentuar ato.
– Muzeu është ndërtuar falë përkrahjes nga Qeveria holandeze, Qeveria britanike, Qeveria gjermane, Komuna e Prishtinës dhe donatorë privatë.
– Muzeu po ashtu është një investim i një pune intelektuale disavjeçare të mbledhjes së materialit të ndryshëm në video, fotografi dhe punime artistike, gjë që është vlerësuar nga të gjithë dhe për të cilin është shkruar në media ndërkombëtare (për ata që ende s’e kanë vizituar, ju ftojmë ta bëni këtë!).
– Hapja e këtij muzeu është përkrahur nga të gjithë, e sidomos nga viktimat e luftës, të cilët kanë sjellë artefakte të reja për t’u bërë pjesë e muzeut, vetëm e vetëm se e kanë parë seriozitetin e paraqitjes së materialeve të luftës në formën më të dinjitetshme.
BIRN sqaron se hapësira e “Reporting House” nuk përdoret për asnjë qëllim komercial dhe pjesa më e madhe e punës së realizuar deri më tani në muzeun më të madh që dokumenton të kaluarën është kryer në baza vullnetare.