Si ishte dikur Ferizaji përballë Tetovës, e si është sot?!
Për tetovarët dita e shtunë është një lloj feste, për shkak se qytetarët e Tetovës që nga mëngjesi i së shtunës me agjencionet e ndryshme të udhëtimeve dhe me makinat e tyre shkojnë te qyteti i preferuar i Ferizajit të Kosovës për të kaluar vikendin duke pirë, ushqyer e blerë gjëra që ju nevojiten. Pasi Ferizaji për tetovarët është bërë trend i harxhimeve, ushqimeve dhe pijeve freskuese me ime shoqen, Dritën, vendosëm që sot, të shtunën, të shkojmë për t’u gjesdisur edhe ne në Ferizajin e bukur që ia kalon Tetovës.
Sapo mbërritëm në Ferizaj ç’të shohim!, ishin mbushur restorantet dhe shitoret e llojeve të ndryshme me tetovarë, aq sa mendoja se tetovarët ishin shpërngulur në Ferizaj, nga të shkoja dëgjoja gjuhën time tetovarçe anekënd Ferizajit. Më së shumti çuditej ime shoqe, Drita, që kishte studiuar në Kosovë që e njihte më mirë se unë Ferizajin e mjerë të atëhershëm të ish-Jugosllavisë dhe Ferizajin e sotshëm që e kishte lënë shumë mbas me infrastrukturë, fabrika, ndërtime, restorante Tetovën e gjorë të shqiptarëve të sotshëm që Tetovën tonë e duan vetëm për vota e kurrgjë më tepër. Më erdhi inati, Ferizaji t’ia kalojë Tetovës e cila me akullore, burek, ëmbëlsira, pasul e mollat e njohura ka pasuruar e ushqyer tërë ish-Jugoslavinë, kurse tani Ferizaji i dikurshëm i drobitur është bërë të furnizojë, të ushqejë me mallëra tetovarët të cilët çdo të shtune lënë me mijëra e mijëra euro në këtë qytet të zhviluar nga politikanët kosovarë
Për t’u çuditur, kur Tetova ime ishte nën urdhërin e maqedonasve ishte e para në Jugosllavi, aq sa sllovenët, kroatët, malaziasit, boshnjakët dhe serbët më shumë e njihnin Tetovën sesa Shkupin, kurse pas zhbërjes së Jugosllavisë Tetova ime sundohet nga politikanët dhe prefektët shqiptarë dhe u bë e fundit.
Qeveritë dhe prefektët e Ferizajit e rritën, zhvilluan aq shumë këtë qytet saqë sot duket Paris për qytetarët e Tetovës.