Shembulli kroat, paralajmërim për Kosovën – Tali: Serbia kupton vetëm gjuhën e forcës
Ish-këshilltari politik, Driton Tali, ka deklaruar se Kosova duhet të armatoset seriozisht për të pasur kapacitet mbrojtës dhe kundërsulmues ndaj Serbisë në rast agresioni.
“Derisa Kosova nuk armatoset për të qenë në gjendje që në rast sulmi të zhvendosë luftën në territorin e Serbisë, nuk ka ndryshime në qasje – me Asociacion apo pa, me kompetenca ekzekutive apo jo,” shkroi Tali.
Ai theksoi se armatimi duhet të bëhet publikisht, në mënyrë që qytetarët serbë të jenë të vetëdijshëm për pasojat nëse udhëheqësit e tyre vendosin “ta rikthejnë Kosovën në Serbi”.
Sipas Talit, vetëm përmes fuqizimit ushtarak, Kosova mund të krijojë balancë të vërtetë sigurie. Ai përmendi shembullin e Kroacisë, duke kujtuar se “derisa Kroacia ishte përtoke, Serbia bombardoi edhe Splitin e Zagrebin, e jo vetëm Vukovarin e Dubrovnikun. Por kur u armatos Kroacia, serbët u larguan nga ‘Republika Serbe e Kninit’ pa rezistencë.”