TË FUNDIT

Kriza politike nuk ndalet, Berisha tregon rrugën për zgjidhje pas vendimit të Gjykatës

Institucionet e Kosovës po përballen me një bllokadë politike, pasi Kuvendi ende nuk ka arritur të thirret në seancë konstituive, pavarësisht vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim më 8 gusht lidhur me vlefshmërinë e rezultateve zgjedhore dhe hapat që duhet ndjekur për konstituimin e legjislaturës së re.

Megjithatë, vendimi i plotë ende nuk është publikuar, duke krijuar paqartësi ligjore dhe politike.

Analisti politik, prof. dr. Fejzulla Berisha, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur për situatën politike në Kosovës, i cili ka theksuar se roli i Gjykatës Kushtetuese nuk është politik, por juridik.

recommended by

Varcosin
Проширените вени стануваат здрави! Еве што треба да правиш
Дознај повеќе
“Në Kosovë, sa herë që politika nuk arrin të gjejë gjuhë të përbashkët për formimin e institucioneve, shikimet drejtohen nga Gjykata Kushtetuese. Ky institucion është shndërruar në adresën kryesore për zgjidhje, ndonëse roli i tij natyral nuk është politik, por juridik”, ka thënë ai.

ImageProf. dr. Fejzulla BerishaFoto galeri
Pse barra i lihet Gjykatës Kushtetuese?

Sipas tij, për shkak të dështimit të partive për të krijuar shumicë të qëndrueshme në Kuvend, shumë çështje përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese

“Kosova ende përballet me mungesë të kulturës parlamentare dhe konsensusit politik. Shpeshherë, partitë politike nuk arrijnë të formojnë shumicë të qëndrueshme në Kuvend, dhe për këtë arsye çështja i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Në mungesë të marrëveshjes, Gjykata detyrohet të japë interpretimin përfundimtar mbi Kushtetutën.

Kjo është parë në disa raste konkrete: në vitin 2014, 2017 dhe 2020, Gjykata Kushtetuese mori vendime vendimtare mbi mandatimin e Qeverisë, duke përcaktuar qartë procedurat që duhen ndjekur. Këto vendime shpëtuan vendin nga bllokada më e thellë institucionale, por njëkohësisht e vendosën Gjykatën në qendër të debateve politike”, ka deklaruar ai.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese – të detyrueshme për të gjithë

Gjithashtu, Berisha ka theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare, të paapelueshme dhe të detyrueshme për të gjitha institucionet e Kosovës

“Është e domosdoshme të kuptohet se vendimet dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë, të paapelueshme dhe të padiskutueshme.

Ato janë të detyrueshme për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Asnjë autoritet shtetëror, parti politike apo individ nuk ka të drejtë t’i vërë në pikëpyetje apo të refuzojë zbatimin e tyre.

Mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën jo vetëm shkelje të Kushtetutës, por edhe rrezikon themelet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë parlamentare”, ka shtuar ai.

Kufizimi i rolit të Gjykatës

Në fund, Berisha ka shtuar se zgjidhjet e qëndrueshme duhet të vijnë nga Kuvendi, përmes dialogut dhe kompromisit mes partive.

“Megjithëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi absolute juridike, kjo nuk nënkupton se Gjykata është zgjidhja për krizën politike. Ajo mund të japë interpretim juridik, por zgjidhja e qëndrueshme mbetet politike dhe duhet të vijë nga Kuvendi i Kosovës, përmes dialogut dhe kompromisit ndërmjet forcave politike.

Gjykata Kushtetuese është “rojtarja” e Kushtetutës dhe garantuesja e rendit juridik në vend. Vendimet e saj janë detyrim për të gjithë dhe nuk mund të kontestohen. Megjithatë, barra e zgjidhjes së krizave nuk duhet t’i lihet vetëm këtij institucioni. Politika duhet të marrë përgjegjësinë e saj dhe të tregojë pjekuri demokratike për të gjetur zgjidhje në Kuvend, aty ku buron vullneti i popullit”, ka përfunduar Berisha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *