Gazetari nga Shkupi: Si e njoha Arbër Xhaferin, rrugëtimi nga bankat e gjimnazit e deri ne luftën e 2001
Shkruan: Suat Saqipi
Një kujtim personal për Arbër Xhaferin – mes përjetimit dhe vështrimit tim
-“Arbër Xhaferin e njoha si nxënës i vitit të tretë të gjimnazit, në vitin 1993, pak pasi ishte ndarë nga PPD. Edhe pse ende gjimnazist, isha i angazhuar në lëvizjen pranë tij. Takimi ynë i parë në formë tubimi ishte caktuar të mbahej në Teatrin Shqiptar në Shkup, por policia e asaj kohe bllokoi hyrjet dhe nuk lejoi zhvillimin e aktivitetit. U detyruam të zhvendosemi dhe mbledhja përfundoi në barakat e shkollës fillore “Liria”.
Në atë takim ishim rreth dhjetë vetë: Adem Hyseni, Halim Purellku, Qerim Lita, Nazmi Kadriu, Nexhibe Palloshi, Ekrem Bunajku, Abdulla Samakova, Fadil Ramadani, dy-tre të tjerë dhe unë – më i riu, ende gjimnazist. Fjalimi i tij atë ditë më mbeti në mendje: theksoi se gjenerator i krizës në IRJM ishte Kushtetuta dhe se ajo do të duhej ndryshuar. Kur e pyeta ku e shihte shpresën për ndryshime, sidomos me pak mbështetës, ai u përgjigj:
“Besoj në vendosmërinë dhe këmbëngulësinë e juve që jeni prezent, dhe radhët tona do të zgjerohen, sepse kemi një mision të gjatë.”
Ishte një kohë kur asnjë gazetar shqiptar nuk guxonte të mbronte publikisht këtë kauzë. Sistemi gligorovian e kishte bllokuar hapësirën mediatike.
Pas vitit 1994, gjatë studimeve në Tiranë, u ktheva në Tetovë ditën e themelimit të Universitetit të Tetovës, ku u takova sërish me Arbërin dhe figura të tjera si Iljas Halimi, Mendu Thaçi, Rufi Osmani, Samet Rrahmani, Hysni Shaqiri, Haxhi Maliqi, Agni Dika, Sali Ramadani etj. Vetëm dy ditë pas shpalljes së themelimit, organizova ardhjen e tij në Studeniçan, së bashku me gazetarin e njohur shqiptar Artur Zheji dhe ekipet e TV italian RAI Uno dhe francez Canal5, të cilët dokumentuan dhunën e policisë pas vrasjes së një banori të Studeniçanit, rrëmbyer në Bit Pazar.
Gjatë viteve të studimeve dhe më pas, kisha nderin ta prisja dhe ta shoqëroja në çdo vizitë të tij në Tiranë, shpesh bashkë me shefin e kabinetit, Arsim Sinani. Pas diplomimit në vitin 1998, u angazhova në kryesinë e PDSH-së, si sekretar i bashkësisë së degëve të Shkupit. Po atë vit ndodhi afrimi dhe koalicionimi me PPD për zgjedhjet parlamentare. Kur e pyeta pse duhej ky bashkim pas përplasjeve të ashpra, ai u përgjigj:
“Prioritet është çështja e Kosovës. Nuk kemi nevojë për ndasi ekstreme dhe të hamë kokën me njëri-tjetrin, por të jemi bashkë për çlirimin e Kosovës, sepse kombi e kërkon.”
Me nismën e tij, në muajin e Ramazanit, në të gjitha degët e PDSH-së u mblodhën fonde për UÇK-në, përmes zeqateve, vitrave dhe dhuratave vullnetare. Po ashtu, shtabet u mobilizuan për ndihma për refugjatët dhe për kauzën kombëtare.
Në kongresin e PDSH-së të vitit 1999, gjashtë muaj pas ardhjes në pushtet, mora fjalën duke porositur se pa lirimin e të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë nuk do të ketë qetësi në vend. Përmenda konkretisht emrat e Granit Osmanit, Muhamed Ramadanit, Fatmir Limanit, Isak Tushës dhe të tjerëve, si dhe kërkesën për kthimin në vendlindje të Harun Aliut, Femi Jonuzi dhe Fati Isenit, të cilët ishin në arrati dhe kërkoheshin nga policia.
Kontributi i Arbër Xhaferit ishte i madh edhe në media dhe kulturë. Me kthimin tim nga Tirana, ai më angazhoi drejtpërdrejt në programin shqip të RTMV dhe në gazetën Flaka, duke i hapur derën çdo të riu të diplomuar. Ishte vendimtar në nismën për themelimin e Kanalit 3 në RTVM, duke kërkuar zgjerim të programit në gjuhën shqipe.
Në vitin 2001, sapo kishte nisur konflikti, realizova një nga intervistat e para në TVM2 me komandantin e UÇK-së, Xhezair Shaqiri – Hoxha. Kjo ndodhi falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Arbër Xhaferit, duke anashkaluar pengesat politike të kohës. Pikërisht këtu nisi edhe ndarja nga Menduh Thaçi e një grupi të madh prej nesh që mbështetnim UÇK-në dhe që ishim në një vijë të njëjtë politike me Arbër Xhaferin. Ai shpesh e përsëriste një fjali të njohur në çdo takim:
“Nëse nuk arrijmë në mënyrë demokratike ta ndryshojmë Kushtetutën dhe të zyrtarizojmë UT-në, do të vijnë djemtë e rinj, të cilët në forma të tjera do ta realizojnë këtë.”
Kjo ishte një sinjal i qartë për daljen e UÇK-së, mesazh që ai e përcillte hapur edhe para ndërkombëtarëve.
Shumë nga bisedat dhe momentet me të mbeten të paharruara, pjesë e memoareve të mia. Arbër Xhaferi nuk ishte thjesht një lider politik – ai ishte një vizionar që e shihte politikën si mjet për të arritur një mision kombëtar, jo si qëllim në vetvete. Për mua, përjetimi i punës dhe vizionit të tij ishte një shkollë politike dhe njerëzore, të cilën e mbaj me vete deri sot.”
*vështrim i autorit