Maqedonci për armatosjen e FSK-së: Është tejkaluar plani i vitit 2018, tash kemi qindra autoblinda
Ministri në detyrë i mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar sërish për autoblindat e blera në Amerikë.
Maqedonci ka thënë se është tejkaluar plani i vitit 2018 për armatosjen e FSK-së.
Sipas tij, FSK-ja aktualisht ka qindra autoblinda.
Postimi:
Dje e pranuam kontigjentin e dytë të automjeteve të blinduara ASV të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e fuqizuar edhe më shumë flotën e automjeteve të blinduara të ushtrisë së Kosovës.
Ky kontigjent i autoblindave është kontraktuar në prill të vitit 2024, me nënshkrimin e kontratës përkatëse nga ana ime si Ministër i Mbrojtjes, kurse pagesa për to është ekzekutuar në qershor të vitit 2024.
Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranizicionit, një plan dhjetëvjeçar i hartuar më 2018 dhe i miratuar në janar 2019, brenda dhjetë vitesh, pra deri në vitin 2028, Forca e Sigurisë së Kosovës do të duhej të kishte disa dhjetëra automjete të blinduara. Por deri tani më 2025, pra tre vite më herët, ushtria e Kosovës është pajisur me disa qindra autoblinda, duke e tejkaluar saktësisht për 207 % numrin e paraparë të autoblindave nga PGJT-ja, që planifikohej të kishte FSK-ja pas tre vitesh, në vitin 2028.
Në vitin 2021, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në ishte 67 milionë euro, kurse sivjet më 2025, buxheti vjetor është paraparë të jetë 208 milionë euro, pa llogaritur alokimet shtesë.
Me investimet e shtuara në blerjet ushtarake si dhe me intensifikimin e fushatave të rekrutimit, gjatë mandatit tonë qeverisës, Kosova po e rritë dhe fuqizon ushtrinë e saj, duke i rritur kapacitet e FSK-së krahas ngritjes së nivelit të saj profesional përmes trajnimeve dhe edukimit. Duke e forcuar ushtrinë tonë, ajo bëhet garanci më e fortë për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorialitetit të vendit, kurse duke u rritur dhe fuqizuar, Forca jonë bëhet më e ndërveprueshme me aleatët tanë, rrugës për në NATO.
Për një Forcë çdo ditë e më të fortë, për mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, bashkë me aleatët, për paqe dhe stabilitet, për zhvillim dhe prosperitet.