Kadri Kryeziu: Sovraniteti mbretëron në veri, jo bandat e Radojçiqit
Kadri Kryeziu ka theksuar se nuk ka ndarje apo korigjim kufijsh, dhe sovraniteti i Kosovës është i shtrirë në tërë territorin e saj.
Ai nënvizoi se veriu i Kosovës nuk është tokë e askujt apo territor privat i bandave të Radojçiqit, por pjesë e Kosovës, si në emër ashtu edhe në vepër.
Kryeziu theksoi se është detyrë dhe përgjegjësi e qeverisë aktuale dhe të ardhshme të ruajë sovranitetin në çdo centimetër të territorit, duke përdorur diplomaci dhe kujdes, por edhe forcë nëse lind nevoja.
Postimi i plotë:
NUK KA KTHIM TE IDETË E SË SHKUARËS…
Nuk ka ndarje, nuk ka korigjim kufijsh. Ka vetëm fuqizim të Kosovës.
Sovraniteti i Republikës është i shtrirë në tërë territorin e Kosovës. Me hatër a pa hatër, me koordinim a pa koordinim, me pëlqim të heshtu a kokë më vete, me gjoks, djersë e gjak, sot, veriu i Kosovës nuk është as tokë e askujt, e as territor privat i bandave të Radojçiqit, por është Kosovë, si në emër ashtu edhe në vepër. Është detyrim dhe përgjegjësi e kësaj qeverie, dhe cilësdo që vjen pas saj, ta ruajë dhe ta mbrojë sovranitetin e Kosovës në çdo centimetër të territorit, me zgjuarsi, diplomaci e kujdes, por, nëse lind nevoja e nuk kemi rrugë tjetër, edhe me forcë.