Autoblinda të reja nga SHBA/ Ish-komandanti i UÇK-së: Mesazh i qartë për Rusinë dhe Serbinë
Të shtunën u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe atasheu ushtarak i SHBA-ve në Kosovë, nënkolonel Jonathan Shaw.
Kryeministri Kurti ka thënë se furnizimin është dëshmi e partneritetit të palëkundur me SHBA-të.
“Ky furnizim i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur me ShBA-të dhe gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë.
Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së ShBA-ve”, ka deklaruar Kurti.
Ndërsa, ish Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Hafir Hoxha, në një prononcim për “Bota sot” e ka quajtur një hap i rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve operacionale të saj dhe tregon për bashkëpunimin strategjik me SHBA-në.
“Dje u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të prokuruara nga ShBA për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së, por edhe një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
ImageHafir HoxhaFoto galeri
Në aspektin teknik, mendoj se këto mjete janë automjete transportuese të blinduara dhe jo automjete luftarake, pasi nuk janë të pajisura me armatim. Megjithatë, ato ofrojnë mundësinë që të montohen mbi to sisteme të lehta kundërajrore, armë kundërkëmbësorisë apo pajisje të tjera për mbështetje luftarake. Kjo i bën të dobishme për transportin e sigurt të trupave dhe për operacione në terren”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, Hoxha ka shprehur shqetësim për ngjyrën e autoblindave, duke e cilësuar ngjyrën e Saharas si të papërshtatshme për terrenin dhe klimën e Kosovës.
“Një detaj që më ngjall shqetësim është ngjyra e tyre – ngjyra e Saharas, e cila nuk përshtatet me relievin dhe klimën e Kosovës e as të Evropës në përgjithësi. Lyerja e tyre me ngjyrë kamuflazhi të përshtatshme për mjedisin tonë do të kërkonte kosto shtesë. Shpresoj që këto mjete të jenë prodhuar posaçërisht për Kosovën dhe jo të jenë teprica të vendeve ku kjo ngjyrë është standarde. Nëse është bërë porosi me këtë ngjyrë, mendoj se është një gabim teknik”, ka theksuar ai.
Sipas tij, ky partneritet dërgon një mesazh të qartë për Rusinë dhe Serbinë se SHBA do të mbetet e pranishme në Kosovë deri në fuqizimin e plotë të FSK-së dhe marrjen e përgjegjësive të plota për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
“Pavarësisht kësaj, bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës dhe SHBA-së mbetet jashtëzakonisht i dobishëm për pozicionin tonë strategjik në rajon dhe në politikën globale. Ky është një mesazh i qartë për Rusinë dhe Serbinë se Amerika do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kosovë, deri në forcimin e plotë të FSK-së dhe marrjen e të gjitha përgjegjësive për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial – tokësor, ajror dhe ujor – të vendit tonë”, ka përfunduar Hoxha.