Shkatërrimi i shtëpive, sulmet, ndalimet arbitrare ndaj shqiptarëve dhe dëbimi masiv– dorëzohet aktakuzë ndaj 21 personave për krime lufte
Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur sot se kanë dorëzuar aktakuzë ndaj 21 të pandehurve për dëbimin e popullsisë civile nga territori i Republikës së Kosovës, gjatë periudhës së luftës së fundit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka bërë të ditur se aktakuzën e kanë dorëzuar sot në Gjykatë.
“Ju njoftojmë lidhur me aktakuzën që sot e kemi dorëzuar në gjykatë që mendoj se përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe përgjegjësisë për vuajtjet që janë shkaktuar gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.
Isufaj tha tutje se është bërë një punë e madhe dhe e përkushtuar për të siguruar që aktakuza të mbështetet në prova, përtej çdo dyshimi të bazuar mirë, pavarësisht se ajo është ngritur në mungesë të të pandehurve.
Detaje rreth aktakuzës ka dhënë prokurori i rastit, Atdhe Dema.
Ai tha se pas viteve të hetimeve intensive përfundimisht sot kanë dërguar akuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.
Sipas tij, akuza është ngritur për krime lufte kundër popullatës civile që lidhet me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës janar –qershor 1999 në territorin e Kosovës.
“Sipas provave të mbledhura gjatë hetimeve ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit janë 21. Duke ushtuar kontroll dhe autoritet efektiv mbi forcat e armatosura në zonat përkatëse në tërë territorin e Kosovës, pra bëhet fjalë për ushtrinë e atëhershme të Republikës federale të Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë kanë pasur dijeni dhe arsye të mjaftueshme për të ditur se pjesëtarët e atyre forcave kanë kryer veprimet të ndaluar rreptësisht nga e drejta ndërkombëtare humanitare”, tha Dema.
Sipas prokurorit të rastit këto veprime përfshijnë shkatërrime sistematike të pronës civile, përfshirë djegien e shtëpive dhe infrastrukturës, sulme të drejtpërdrejtë ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, ndalime arbitrare për arsye etnike e që në fund kanë rezultuar me dëbim të detyruar masiv të popullsisë shqiptare drejt shteteve fqinje.