Rron Gjinovci zbërthen prapaskenat e protestave në Serbi, ironizon ‘keq’ me Edi Ramën
Rron Gjinovci, ka reaguar ashpër ndaj protestave në Serbi, ku disa pjesëmarrës përdorën ofendime me baza etnike, duke e përdorur termin “šiptari” (shqiptar) për të fyer policinë.
Sipas Gjinovcit, përdorimi i fyerjeve etnike ndaj shqiptarëve si mënyrë për të shprehur pakënaqësinë ndaj shtetit serb tregon mungesë të thellë të vetëdijes politike dhe mohimin e krimeve të luftës të kryera nga shteti serb në Kosovë dhe më gjerë
Gjinovci gjithashtu përmendi me ironi edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke sugjeruar se ky i fundit mund të jetë në një situatë të vështirë për shkak të marrëdhënieve të tij të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Kur progresi është regres!
Në Serbi protestust për me ofendu policinë brutale po e thërrasin “šiptari”, shqiptarë. Thu se shqiptarët i patën vra 10 mijë civilë në Kosovë, e deportu rreth 1 milionë nga Kosova, a thu se shqiptarët patën bo masakra nëpër Kosovë ku vriteshin fëmijët, a thu se Shqiptarët e bënë gjenocidin e Srebrenicës. Popull pa vetëdije politike, që nuk ndjen përgjegjësi për gjenocidin, aktet e gjenocidit dhe krimet kundër njerëzimit të kryme në emër të vet në krejt rajonin tonë, nuk meriton as respekt as solidaritet. Lëvizja e tyne “progresiste” lypë progres nga nacionalizmi në ultra-nacionalizëm, e ky pra është regres. Prandaj thjesht duhemi me i injoru dhe izolu në mjerimin e tyne kulturor e politik deri sa të kalojnë në shekullin 21. Ndërkohë po më dhimët Edi Rama, i cili me siguri është në hall për fatin e mikut të tij Aleksandrit. Edhe pak kohë, me siguri distancohet prej tij dhe kosovarët ia harrojnë thikat mas shpine që ia ka ngulë Kosovës në 4 vitet e fundit në bashkëpunim me dostin e tij Aleksandrin (qysh i referohet ai me përkëdhelje ish ministrit të Millosheviqit).