TË FUNDIT

Prokuroria dorëzon aktakuzë në mungesë për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë më 1999

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.

Në një konferencë për media në Prishtinë, prokurori që ka hetuar rastin, Atdhe Dema, tha se aktakuza është përgatitur pas pesë vjetëve hetime intensive.

“Aktakuza është ngritur për krime lufte kundër popullsisë civile, e cila lidhet me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës janar – qershor 1999 gjatë luftës në Kosovë”, tha Dema.

Dema tha se që të gjithë 21 të dyshuarit kanë pasur kontroll të plotë mbi ushtrinë e atëhershme jugosllave dhe mbi policinë serbe dhe se nuk i kanë parandaluar pjesëtarët e tyre nga kryerja e krimeve të luftës kundër popullsisë në Kosovë.

Ai tha se nuk mund t’i bëjë të ditur emrat e të dyshuarve në këtë kohë.

Veprimet për të cilat ata akuzohen përfshijnë shkatërrimin e pronës civile, sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike, të cilat kanë rezultuar me dëbim të detyruar masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje.

“Këto veprime përbëjnë pjesë të një fushatë të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863.000 civilëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare”, tha Dema.

Dema nënvizoi se Prokuroria Speciale e Kosovës vlerëson se të pandehurit, në pozitën dhe funksionin që kanë pasur, kanë dështuar të ndërmarrin masa të nevojshme dhe të arsyeshme për t’i parandaluar ato krime, kanë dështuar t’i ndëshkojnë autorët e tyre dhe kanë dështuar t’i raportojnë ato te autoritetet më të larta.

Ai tregoi se Prokuroria ka bërë kërkesë për fletarrestime ndërkombëtare për të dyshuarit, për të cilët tha se janë të paarritshëm për prokurorinë në këtë kohë.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Në vitet e fundit, numri i aktakuzave të ngritura në Kosovë për kryerjen e veprës penale “krim i luftës kundër popullatës civile” është rritur dukshëm.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *