Kandidatja e Vetëvendosjes për Drenasin: Qytetarët e dinë gjendjen e rëndë, përgjegjësit e ata që heshtën ndaj keqqeverisjes
Kandidatja për kryetare të Drenasit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzona Tërdevci, në një intervistë dhënë për “Bota sot”, ka folur për vizionin e Vetëvendosjes për Drenasin. Ajo ka treguar se po merr mbështetje çdo ditë nga qytetarët, të cilët kërkojnë ndryshim. Ka përmendur edhe tri problemet më urgjente që duhet trajtuar në komunën e Drenasit. Është pyetur edhe për mosmarrëveshjet ndërmjet kryetarit aktual, Ramiz Lladrovci, dhe PDK-së. Sa i përket rikandidimit të Lladrovcit, Tërdevci thotë se Drenasi ka nevojë për energji të re.
Si kandidate për kryetare të Drenasit nga Lëvizja Vetëvendosje, cili është vizioni juaj për Drenasin?
Egzona Tërdevci: Platforma jonë për Drenasin është mishërim i kërkesave dhe nevojave të secilit qytetar; çdo vendim në qeverisjen tonë do të merret duke pasur në qendër qytetarin dhe jo interesat personale e klanore. Qytetarët e Drenasit, me qeverisjen tonë, nuk do të kenë shqetësim ujin e pijes e infrastrukturën bazike; do të ketë shkolla të digjitalizuara e me kabinete funksionale, shëndetësi që ofron shërbime cilësore për qytetarin, më shumë çerdhe publike e hapësira për nëna e fëmijë, më shumë investime në bujqësi dhe një ekonomi që do të mbështesë prodhimin dhe të rinjtë.
Sa e ndjeni mbështetjen nga subjekti juaj politik dhe nga qytetarët?
Egzona Tërdevci: Mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kryeministrit Kurti e kam pasur në çdo hap përgjatë rrugëtimit politik, e më shumë se kurrë tani që jam në garë për të parën e Drenasit. Po ashtu, në takimet e përditshme me qytetarët, shoh se ka një dëshirë të madhe për ndryshim dhe besim se ne mund ta sjellim këtë ndryshim. Kjo energji dhe ky besim që po marr nga qytetarët më japin forcë dhe motivim për të vazhduar edhe më fort në rrugën tonë drejt transformimit të Drenasit.
Cilat janë tri problemet më urgjente që do t’i trajtonit menjëherë pas marrjes së detyrës?
Egzona Tërdevci: Së pari, infrastruktura bazike: uji i pijes, rrugët, trotuaret, kanalizimi – sepse këto janë nevoja jetike. Së dyti, ndërtimi i çerdheve të reja, hapësirave për të rinj dhe transporti publik. Së treti, mbështetja e bujqësisë, krijimi i programeve të mbështetjes për të rinjtë dhe bizneset lokale, që të kemi zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe rritje të vendeve të punës.
Çfarë mendoni se ju dallon nga kundërkandidatët e tjerë?
Egzona Tërdevci: Konsistenca që kam dëshmuar përgjatë gjithë angazhimit tim publik; nuk kam bërë asnjëherë kompromis me të keqen e as nuk i takoj ndonjë klani politik apo grupi interesash të ngushta. Pra, në krye të komunës vij pa borxhe dhe me qëllimin e qartë – t’u shërbej qytetarëve dhe të bashkëqeveris me ta. Lista jonë për asamble, por edhe ekipi qeverisës, janë njerëz punëtorë e të ndershëm të qytetit tonë, njerëz që ia njohin problemet dhe potencialin Drenasit.
A mendoni se mund të përfitoni nga mosmarrëveshjet ndërmjet kryetarit aktual dhe PDK-së?
Egzona Tërdevci: Unë nuk e shoh këtë garë si përfitim nga problemet e të tjerëve. Qytetarët e Drenasit janë të vetëdijshëm për gjendjen në komunë dhe për atë se kush ka pasur përgjegjësinë deri sot. Por qytetarët e Drenasit i njohin mirë edhe ata që kanë heshtur karshi keqqeverisjes e sot dalin e kërkojnë besimin e tyre. Ne do të fitojmë besimin e tyre duke treguar qartë se çfarë ofrojmë dhe si do ta realizojmë atë, jo duke u mbështetur te përçarjet e kundërshtarëve.
Ramiz Lladrovci do të kandidojë sërish, por nga një tjetër parti. A e shihni si kundërkandidat të fortë?
Egzona Tërdevci: Çdo kandidat që garon ka peshën e vet politike, por forca e një kandidati nuk matet me sa ka qenë në pushtet, por me sa ka bërë për qytetarët. Për keqqeverisjen e këtyre nëntë viteve jemi dëshmitarë të gjithë. Drenasi ka nevojë për energji të re, për një qeverisje që është e hapur, e ndershme dhe e afërt me njerëzit. Në këtë aspekt, unë besoj se jemi alternativa më e mirë.