Murati: Instituti Gallup tregon se Kosova ka pasur përparim enorm, ndërsa zhvatësit thonë kurrë s’ka qenë më keq
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social Facebook ndaj kritikave që Kosova po përballet me gjendje të rënduar ekonomike. Sipas tij, këto komente po vijnë nga individë që më parë kanë përfituar nga keqpërdorimi i buxhetit të shtetit.
“Me i pyet ata që ishin mësuar të zhvasin buxhetin, do të thonë që ‘kurrë s’ka qenë më keq’. Por në realitet, Kosova sot qëndron shumë më mirë se para 10 vitesh”, ka shkruar Murati.
Ai ka përmendur të dhënat e publikuara nga Instituti Gallup, sipas të cilave Kosova ka shënuar përmirësim të jashtëzakonshëm në shumë indikatorë në periudhën 2014–2024.
“Kapërcimi është enorm, e këtë nuk po e them unë, por e thotë Gallup. Ka indikatorë që janë përmirësuar për 10 apo 20 pikë përqindje”, shtoi ai.
Murati nuk dha detaje konkrete për indikatorët, por theksoi se përmirësimi është reflektim i reformave të brendshme, menaxhimit të mirë të financave publike dhe luftës kundër korrupsionit.