“Kosova duhet ta lexojë qartë këtë skenar”- Drizan Shala zbulon planin e Serbisë: Tension i inskenuar dhe krizë e fabrikuar për…
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se zhvillimet e fundit në veri janë pjesë e një skenari të përgatitur nga Serbia për të penguar konsolidimin e sovranitetit të Kosovës.
Ai thekson se Beogradi po përdor provokime të inskenuara për të paraqitur Policinë e Kosovës si “presionuese” ndaj serbëve, duke ushtruar presion psikologjik mbi komunitetin dhe duke përgatitur protesta e bllokada përpara hapjes së infrastrukturës së re në zonë.
Sipas Shalës, Kosova duhet të reagojë në mënyrë të koordinuar, ligjore dhe të vendosur për të mos lejuar manipulimin e situatës.
Shkrimi i plotë:
“Skenari serb në veri: tension i inskenuar për presion dhe destabilizim”
Zhvillimet e fundit në veri nuk janë të rastësishme. Serbia po përdor një skenar të përgatitur për të mbajtur tensionin të lartë dhe për të penguar konsolidimin e sovranitetit të Kosovës në atë zonë.
📍 Së pari, përmes provokimeve dhe konfrontimeve të inskenuara, Beogradi synon të bindë faktorin ndërkombëtar se Policia e Kosovës po ushtron “presion” mbi komunitetin serb, duke kërkuar që kjo të përdoret si arsye për vendosjen e kufizimeve ndaj veprimeve të ligjshme të institucioneve tona.
📍 Së dyti, Serbia po i dërgon një mesazh të qartë serbëve që jetojnë në veri: “Pa Listën Serbe në pushtet, do të përjetoni dhunë dhe pasiguri”. Kjo është një formë presioni psikologjik për të siguruar mbështetjen e komunitetit ndaj agjendës së Beogradit.
📍 Së treti, para hapjes së urave dhe infrastrukturës së re në veri, Serbia po përgatit skenarë për protesta, bllokada dhe tensione, me qëllim që këto hapje të kthehen në burim konfrontimi dhe destabilizimi. Kjo strategji kërkon të prodhojë imazhe të krizës që më pas përdoren si armë politike dhe diplomatike.
Kosova duhet ta lexojë qartë këtë skenar: nuk bëhet fjalë vetëm për incidente të izoluara, por për një strategji të mirëfilltë destabilizimi. Përballë kësaj, reagimi ynë duhet të jetë i koordinuar, ligjor dhe i vendosur, duke mos lejuar që situata të përdoret kundër interesave tona shtetërore.