“Republika Srbska, shembulli i rrezikut” – Meçollari kundër nxitimit për Asociacionin
Në një intervistë për “Bota sot”, kapiteni i rangut të parë Artur Meçollari ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është detyrim për Kosovën, por jo i pakushtëzuar dhe duhet të lidhet me njohjen nga Serbia ose anëtarësimin në OKB.
Sipas tij, themelimi i parakohshëm do të rrezikonte sigurinë e vendit, duke sjellë shembullin e Republikës Serbska në Bosnje.
Ai kritikoi edhe kryeministrin Edi Rama për hartimin e një drafti për asociacionin pa konsultim me Kosovën.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një detyrim për Kosovën, por jo i pakushtëzuar. Ideja e asociaionit është e lidhur me një Kosovë të pavarur, sovrane dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Çdo themelim i asociacionit të komunave me shumicë serbe, përpara njohjes së Kosovës nga Serbia ose anëtarësimit të Kosovës në OKB, do të ishte një minë me sahat në dorën e Serbisë për destabilizimin e saj.
Themelimi i parakohshëm i asociacionit përbën kërcënim për sigurinë e Kosovës. Rasti i përdorimit të Republikës Serbska nga Serbia për destabilizimin e Bosnjes dhe Hecerkovinës e tregon këtë.
Çdo tentativë për hartime draftesh mbi asociacionin dhe nisjen e rrugës ligjore për miratimin e tyre, në situatën aktuale të Kosovës, është në dem të saj. Kjo është plotësisht një çështje e brendshme e Kosovës. Ishte një nxitim i panevojshëm i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që kohë më parë me “ekspertët më të mirë në botë” hartoi një draft për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, pa u konsultuar me Shtetin e Kosovës dhe ua paraqiti atë kancelerive europiane”, thotë ai për “Bota sot”.