“Reformat mbesin në letër pa pastrim të sistemit”/ Mehmeti alarmon për drejtësinë
Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur në Gjilan, ku janë vrarë tre persona dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Të dyshuar për këtë vrasje janë Mefail, Edonis dhe Engjëll Shkodra, të njohur më parë për drejtësinë.
Vitin e kaluar, Mefaili dhe Edonisi ishin arrestuar nga Policia e Kosovës, por u liruan pas pagesës së një garancie prej 70 mijë eurosh në total.
Në lidhje me këtë rast dhe gjendjen aktuale të sistemit të drejtësisë, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot” ka theksuar se rasti i fundit në Gjilan dëshmon qartë krizën në sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke kërkuar një vetting të thellë dhe të paanshëm.
Sipas tij, siguria e qytetarëve vihet në rrezik kur kriminelët e rrezikshëm lirohen shpejt pas arrestimit.
ImageFaton MehmetiFoto galeri
“Rasti i fundit në Gjilan e tregon qartë se drejtësia në Kosovë ka nevojë urgjente për një vetting të thellë dhe të paanshëm. Nuk mund të ketë siguri për qytetarët kur kriminelë të rrezikshëm arrestohen dhe pas pak muajsh kthehen të lirë në rrugë”, ka theksuar ai.
Gjithashtu, ai ka theksuar se pa pastrimin e gjyqësorit nga elementët e korruptuar, çdo reformë tjetër mbetet vetëm në letër.
“Pengesat për vettingun vijnë kryesisht nga brenda sistemit, nga ata që kanë frikë se një proces i tillë do të zbulojë korrupsionin, lidhjet me krimin dhe paaftësinë profesionale. Pa pastruar gjyqësorin nga elementët e korruptuar, çdo reformë tjetër mbetet thjesht në letër”, ka deklaruar Mehmeti.