Propaganda në Kosovë: Si manipulohet opinioni publik dhe si të mbrohemi
Propaganda është një përpjekje e qëllimshme dhe e vazhdueshme për të ndikuar e formësuar mendimet. Ajo manipulon informacionin, lajmet, faktet dhe njohuritë, me qëllim që të ndikojë, kontrollojë dhe drejtojë sjelljen dhe veprimet tona. Qëllimi kryesor, dhe këmbëngulës, i propagandës është të arrihet një saldim, një reagim i fortë dhe i përbashkët i popullit.
Kjo trajtesë shqyrton pyetjet: “kush”, “çfarë”, “kur”, “ku”, “pse” dhe “si” të propagandës.
Kush?
Propaganda bëhet nga një pakicë “elitare” që e shigjeton popullin. Kjo pakicë ka një agjendë të fshehtë e djallëzore: të kontrollojë mendimin tonë, sjelljet tona, gjykimin tonë; pra të kontrollojë opinionin publik.
Ja një shembull politik nga Gjermania: Në vitet ’30, Partia Naziste përdori propagandën për të krijuar bindjen se Gjermania po ringrihej falë Hitlerit, ndërsa fajësonte hebrenjtë për krizat ekonomike.
Çfarë?
Propaganda është një përzgjedhje, manipulim dhe përpunim i qëllimshëm i gjuhës, fotografisë dhe informacionit; duke kombinuar të vërtetat me gjysmë të vërteta ose me pavërteta të plota, kjo bëhet për të formësuar një mënyrë të paracaktuar të menduarit tonë rreth botës që na rrethon.
Propaganda nuk synon të hapë debat apo të nxisë analizë logjike e konstruktive. Është krejt e kundërta; propaganda do të prodhojë një reagim emocional që e shtyn publikun të pranojë një agjendë të njëanshme politike/ekonomike/kulturore si të vetmen të mundshme.
Shembull: Në ish-Jugosllavi, media shtetërore raportonte me entuziazëm “arritjet” e planit pesëvjeçar, duke treguar fabrika të reja dhe rendiment të lartë bujqësor, ndërkohë që fshihnin krizën politike, të urisë, mungesat e lirisë dhe dhunën që po shkatërronin popullin shqiptar.
Kur?
Propaganda përdoret si në kohë lufte, ashtu edhe në paqe.
Në kohë lufte, ajo shërben për të mobilizuar popullin dhe për ta bindur se pjesëmarrja e vendit në luftë është e domosdoshme dhe e drejtë.
Në kohë paqeje, ajo punon në heshtje për të ruajtur një gjendje “lumturie të bindur” tek populli, duke e orientuar drejt konsumit të vazhdueshëm, butoksit, operacioneve plastike, bitcoinave dhe duke shmangur pyetjet e pakëndshme.
Shembull: Gjatë Luftës së Ftohtë, si SHBA ashtu edhe Bashkimi Sovjetik përdorën propagandën për ta paraqitur garën bërthamore si një masë mbrojtëse dhe të nevojshme për sigurinë kombëtare, duke fshehur faktin se kjo garë ishte po aq një kërcënim sa edhe një mbrojtje.
Ku?
Propaganda përdoret kudo në botë, sidomos në shoqëritë demokratike ku dhuna e hapur nuk lejohet më.
Propaganda në demokraci është bërë mjeti kryesor për të kontrolluar opinionin publik. Duhet nënvizuar se kudo ku një pakicë e vogël kërkon të sundojë shumicën; e këtu do të gjeni propagandë.
Shembull: Monopolet mediatike në Kosovë filtrojnë lajmet për të mos cenuar interesat e pronarëve të tyre, duke heshtur për praktikat korruptive dhe abuzive të korporatave të tyre.
Pse?
Qëllimi themelor i propagandës është të realizojë objektivat e saj përmes “spinfluence”; pra ndikimit të fshehtë përmes manipulimit.
Duke ndikuar në mënyrën se si njerëzit mendojnë, ndjejnë dhe reagojnë, ajo u jep klaneve aftësinë të kontrollojnë masat dhe të forcojnë pozitën e tyre.
Kur shoqëria shndërrohet në një “tufë” të bindur dhe pasive, ata që e udhëheqin propagandën mund të veprojnë pa pengesa; të plaçkitin pasuritë publike, të shkelin të drejtat dhe të mbulojnë dështimet e tyre.
Shembull: Në shumë vende autoritare, propaganda përdoret për të justifikuar kufizimin e lirive themelore në emër të “sigurisë kombëtare”, duke e paraqitur represionin si mbrojtje.
Si?
Të fshehësh apo të shtrembërosh të vërtetën/faktin? Kjo është dilema që qëndron në themel të propagandës.
Censura, pra ndalimi i informacionit “të pakëndshëm”, është një metodë e drejtpërdrejtë dhe shpesh e dukshme për të kontrolluar lajmin dhe mendimin publik. Dhe, censura e pastër nuk është gjithmonë efektive, sepse sot informacioni qarkullon shpejt dhe gjen rrugë për të dalë në publik. Për këtë arsye, më e sofistikuar, më e suksesshme dhe më e përdorur nga gazetaria e propagandistëve është shtrembërimi i së vërtetës/faktit.
Në këtë rast, propaganda nuk i mohon faktet, por i paraqet ato në mënyrë të deformuar, të përzgjedhur dhe të manipuluar, në mënyrë që të krijojë një perceptim krejt tjetër nga realiteti. Është si një magjistar që nxjerr të pavërteta nga faktet; e ky marifet bëhet duke përdorur teknikën e manipulimit të gjuhës, fotografisë dhe zërit.
Të dashur lexues,
Në Kosovë, sidomos në vitet e fundit, propaganda politike po përdoret në mënyrë agresive, frikësuese dhe të rafinuar; kjo po bëhet për të ndikuar opinionin publik, duke u përqendruar në përlloqjen dhe poshtërimin e figurave të caktuara. Për shembull sikurse propaganda e drejtuar kundër kryeministrit Albin Kurti, kundër UÇK-së, Shqipërisë, dhe më tragjikja, duke e harruar propagandën dhe lajmin logjik rreth Serbisë.
Ja truket kryesore që përdoren nga propaganda:
Nxjerrja jashtë kontekstit: Një deklaratë, fjalim apo ngjarje paraqitet vetëm pjesërisht, duke u bërë që të duket krejt ndryshe nga deklarata origjinale.
Shembull: Në disa media, deklarata e Kurtit “Nuk do të bëjmë kompromis me integritetin territorial të Kosovës” është transmetuar duke prerë pjesën e dytë të saj, ku ai sqaronte se “kjo nuk e përjashton dialogun dhe marrëveshjet praktike me Serbinë për lehtësimin e jetës së qytetarëve”. Në versionin e shkurtuar të medias, kjo paraqitet sikur ai ka mbyllur çdo derë të dialogut, duke e portretizuar si pengesë për paqen.
Ky shembull duhet të prekë ndërgjegjen e gazetarëve që përdorin teknikën “nxjerrja jashtë kontekstit” për ta krijuar perceptimin e gabuar e të rrejshëm tek publiku.
Përdorimi i gjuhës emocionale dhe përçarëse: Tituj të tillë si “Katastrofa e Kurtit vazhdon” apo “Qeveria që po shkatërron Kosovën” përdoren për të nxitur pakënaqësi dhe përçarje, duke mos lënë hapësirë për dialog racional. Në vend që të jepen argumente racionale, përdoren fjalë që ndezin zemërim, frikë, pasiguri apo urrejtje.
Shembull: Mediat tona përdorin fjalë si “dështim katastrofal”, “shpërbërje e shtetit” apo “korrupsion masiv” për të krijuar bindjen se qeveria është në rrëzim dhe në krizë, pa dhënë kurfarë prova konkrete.
Përsëritja e porosisë: Përsëritja e vazhdueshme e të njëjtës histori apo akuzë e bën atë të duket si e vërtetë absolute. “Albin Serbia”, “Albini spiun i Serbisë”, “Qeveria Kurti na mori n’qafë”, “E kalli veriun”, “Albini po don me na shti në luftë” etj.
Përzierja e faktit me opinionin: Në një artikull, lajmi dhe opinioni përzihen në mënyrë të qëllimshme, dhe kjo vështirëson dallimin mes informacionit të saktë dhe interpretimit subjektiv të gazetarit.
Të nderuar lexues,
Aftësia për të manipuluar mendimin dhe për ta shndërruar të vërtetën në një mjet kontrolli është arsyeja pse propaganda sot është kaq e rrezikshme. Kur nuk arrijmë të dallojmë shtrembërimin dhe manipulimin nga faktet reale, opinioni ynë kthehet në një fushë loje për interesa të fshehta politike e ekonomike.
Pikërisht për këtë arsye, ndërgjegjësimi dhe edukimi mediatik nuk janë më luks; janë nevojë jetike për kombin. Në një kohë kur Kosova po përballet me pasiguri dhe kërcënime të hapura nga Serbia, luajtja me propagandë nuk është thjesht një çështje etike dhe biznesi: është një lojë e rrezikshme dhe “një minë me sahat” për sigurinë kombëtare.
Dhe atëherë lind pyetja që çdo media e ndershme duhet t’ia bëjë vetes: Në cilën anë të historisë doni të jeni: në anën e së vërtetës, apo në anën e atyre që e shesin të vërtetën për dinarë e për karrierë?