POLITIKATË FUNDIT

Kadri Kryeziu i kundërpërgjigjet ashpër Enver Hasanit – ia përmend llogarinë bankare dhe disa gjëra nga e kaluara!

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj ish-kryetarit e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit dhe kritikave të këtij të fundit.

Sipas Kryeziut, Hasani ka pasur synime në vazhdimësi, për ta kthyer gjyqësorin në pushtetin më të lartë në vend, me “ëndrrën” që të bëhet president.

Krahas kësaj, iu kundërpërgjigj atij, duke thënë se nuk ka qëllime politike, ku e ‘goditi’ duke thënë se “për dallim nga Enver Hasani, dhe të tjerët e sojit të tij, llogaria ime bankare përherë është në minus”.

“Enver Hasanin e njoh mirë nga koha kur ishim bashkë në Gjykatën Kushtetuese. Dhe ne që e njohim mirë nuk habitemi fare nga ambicia e tij prepotente që Kosova të transformohet nga republika parlamentare në një republikë gjyqësore. Enveri akoma ëndërron që me një vendim Gjykate ai do të instalohet si President i përjetshëm i Kosovës.

Enveri nuk ka argumente për debat cilësor, prandaj fshihet prapa arrogancës dhe prepotencës së tij. Koleget e tij femra, që guxojnë sado pak ta sfidojnë, i denigron me shprehjen “lopë”, ndërkaq kolegët meshkuj, si puna ime, i quan “analfabet funksional”. Enveri është thjesht një bullizues dhe asgjë më shumë”, transmeton “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Dy fjalë për Enver Hasanin, nga unë analfabeti funksional…

Njerëzit janë verbuar aq shumë nga ngarkesat politike saqë çdo gjë e shikojnë vetëm sipas interesit të ngushtë politik që u konvenon sot për sot. Harrojnë që një gjë që të përshtatet sot, mund mos të të përshtatet nesër. Ligji nuk guxon të jetë llastik që të luhet me të varësisht si ndryshon atmosfera politike.

Normat e larta juridike, pra kushtetuta dhe ligjet, që i përpilojnë dhe i aprovojnë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, të cilëve sovrani ua ka deleguar vendimmarrjen, janë të paprekshme në përmbajtje. Shkenca ato i konsideron si dogmë juridike. Palët në proces mund të kenë interpretime të ndryshme për domethënien e tekstit, por nuk mund të shtojnë dhe as të heqin diçka nga teksti.

Imagjinoni për një çast që jeni palë në një proces në Gjykatë. Si do të ju dukej sikur, në mes të procesit, Gjykatësi vendos të shtojë fjalë në tekstin e ligjit, duke e çuar procesin në një drejtim krejtësisht të paparashikueshëm. Ku është fundi i atij muhabeti? Pa siguri juridike dhe pa parashikueshmëri të ligjit, nuk ka rend demokratik, nuk ka ndarje dhe as balancim të pushteteve të ndryshme. Një rend i tillë juridik është arbitraritet i plotë, një shoqëri distopike më e rëndë se diktaturat komuniste.

Enver Hasanin e njoh mirë nga koha kur ishim bashkë në Gjykatën Kushtetuese. Dhe ne që e njohim mirë nuk habitemi fare nga ambicia e tij prepotente që Kosova të transformohet nga republika parlamentare në një republikë gjyqësore. Enveri akoma ëndërron që me një vendim Gjykate ai do të instalohet si President i përjetshëm i Kosovës.

Enveri nuk ka argumente për debat cilësor, prandaj fshihet prapa arrogancës dhe prepotencës së tij. Koleget e tij femra, që guxojnë sado pak ta sfidojnë, i denigron me shprehjen “lopë”, ndërkaq kolegët meshkuj, si puna ime, i quan “analfabet funksional”. Enveri është thjesht një bullizues dhe asgjë më shumë.

Ata që më njohin mirë mund të dëshmojnë për etikën, integritetin dhe karakterin tim. As edhe njëherë të vetme nuk kam bërë kompromis me bindjet dhe vlerat e mia. Nuk e kam ndërmend që të ndryshoj as tani.

Nuk jam më një djalë i ri me ambicie drejt së ardhmes. Po shkoj 68 vjeç, jam i ngopur me poste, pozita dhe detyra me rëndësi. Nuk kam vjedhur, nuk kam mashtruar, nuk kam përfituar, nuk e kam shfrytëzuar askënd. Për dallim nga Enver Hasani, dhe të tjerët e sojit të tij, llogaria ime bankare përherë është në minus. Nuk më vjen fare siklet ta them që, si shumica e qytetarëve të këtij vendi, jo pak herë luftoj ta lidh muajin me muaj. Po njësoj, si shumica e qytetarëve të këtij vendi, më dridhet zemra kur më vjen një SMS nga banka. Por ky jam unë, dhe përkundër të gjitha vështirësive ndihem mirë më veten. Nuk i kam borxh moral askujt dhe gjumin e bëj rehat.

Pas çlirimit jam angazhuar në partitë e krahut të luftës dhe krenohem me këtë, por sot nuk e shoh veten pjesë të asnjë partie politike. Jam shumë i lumtur që Zoti më ka kthyer në pikën time të fillimit, te partia ime e vetme e zemrës, te Shqiptaria.

Partia ime është Shqiptaria, një dhe e vetmja parti e vërtetë. Të gjitha të tjerat janë kalimtare dhe të parëndësishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *