POLITIKATË FUNDIT

Dyshimet për gjyqtarin Llaban, alarmojnë ekspertët: Rrezik për sigurinë kombëtare dhe integritetin e shtetit!

Të dielën, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media deklaroi se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.

Haxhiu tha se dyshimet bazohen në informacionet që ajo ka nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Ajo tha se BIA serbe e “kompremetoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim në Serbi në vitin 2011.

“Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.

E kjo çështje, natyrshëm mori vëmendje të madhe, derisa disa e vënë në pikëpyetje edhe sigurinë kombëtare.

Rasti i Llaban duket të jetë më i komplikuar se që duket, derisa po ngriten dyshime të forta dhe alarme për aspektin e sigurisë.

E për këtë temë, folën ekspertët e sigurisë për “Bota sot”.

Dashevci: Institucionet tona të sigurisë janë profesionale dhe nuk lejojnë cenimin e sigurisë nga askush

Së pari, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci tha se ky është një rast i ndjeshëm dhe natyrisht që merret me të edhe AKI-sw.

Ai në prononcimin dhënë “Bota sot” potencoi se çdo rast që alarmohet në aspektin e sigurisë kombëtare, trajtohet në detaje.

ImageArben DashevciFoto galeri
“Në Republikën e Kosovës trajtohet çdo rast në aspektin e sigurisë kombëtare nga instancat tona të sigurisë.

Normalisht që edhe ky rast në fjalë sipas mendimit tim trajtohet seriozisht nga AKI dhe organet përgjegjëse.

Çdo rast që alarmohet në aspektin e sigurisë kombëtare dhe ku cenohet ajo trajtohet me seriozitetin më të madh”.

Krahas kësaj, eksperti tha se institucionet e vendit janë të konsoliduara dhe kanë përvojë dhe kapacitete të mjaftueshme.

Në këtë pikë, beson se institucionet tona të sigurisë nuk do lejojnë të cenohet siguria kombëtare.

“Republika e Kosovës ka institucione të konsoliduara dhe veprojnë në kohë, kanë përvojë dhe kapacitete të plota për veprim në 24/7 dhe është kompetencë e tyre ta vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë të çdo rasti që trajtojnë.

Kur vlerësohet shkalla e sigurisë informohet Presidentja si komandante supreme e forcave të armatosura dhe njejtë informohet mendoj unë edhe Kryeministri por edhe të tjerët që kaë funksione të larta në Shtet.

Andaj unë mendoj që institucionet tona të sigurisë janë profesionale dhe nuk lejojnë cenimin e sigurisë nga askush sepse kanë pasur dhe kanë suksese të jashtëzakonshme në praktikë”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.

Softa: Deklarata e Haxhiut, lidhur me rastin e gjyqtarit Radomir Llaban është shumë serioze

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Fatjon Softa tha se deklarata e ministres në detyrë është shumë serioze dhe ngre çështje edhe të sigurisë kombëtare.

Madje, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se nëse vërtetohen deklarimet e saj, atëherë kemi të bëjmë me disa çështje shumë serioze,

Deklarata e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me rastin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban, është shumë serioze dhe, përveç përgjegjësisë politike, ngre edhe çështje të përgjegjësisë ligjore dhe, mbi të gjitha, të sigurisë kombëtare të Kosovës.

“Nëse pretendimet e saj për një të kaluar kriminale dhe lidhje me shërbimin sekret serb (BIA) vërtetohen, atëherë kemi të bëjmë me disa çështje jashtëzakonisht serioze:

Duhet të përfshihet menjëherë një mekanizëm institucional për verifikimin e figurës dhe lidhjeve të dyshuara të gjyqtarit.

Duhet të ndërmerret hetim parlamentar për mënyrën e emërimit të gjyqtarit, procedurat e ndjekura dhe për të zbuluar se kush ka lobuar për të. Nëse vërtetohen lidhjet, ai duhet të shkarkohet dhe menjëherë të fillojë procedimi penal ndaj tij.

Nëse ka pasur lidhje me shërbime të huaja, kjo përbën një rrezik serioz për sovranitetin dhe integritetin institucional të vendit”, shtjelloi ai.

Krahas kësaj, eksperti tha se duhet reagim urgjent dhe i koordinuar mes liderëve shtetëror dhe institucioneve të drejtësisë, përfshi edhe AKI-në.

Sipas tij, nëse konfirmohet akuza do të ishte dështimië filtrave të sigurisë dhe dështim i politikave të përzgjedhjes.

“Ky nivel i sistemit gjyqësor ka qasje në informacion sensitiv dhe të klasifikuar; merr vendime për çështje kritike të shtetit dhe sovranitetit, dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në balancën e pushteteve.

Mendoj se është i domosdoshëm një reagim dhe veprim i shpejtë e i koordinuar mes Presidencës, Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë, duke aktivizuar AKI-në dhe duke bashkëpunuar me agjenci partnere mike të shtetit të Kosovës.

Nëse akuza e saj provohet, ky do të jetë një rast unik dhe do të tregonte një dështim të filtrave të sigurisë, si dhe një dështim të politikave të përzgjedhjes, duke i dhënë avantazh Serbisë që të ketë infiltrime në nivele kaq të larta të sistemit gjyqësor”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *