Strategjia e re e sigurisë/ Rexhepi komenton bashkëpunimin ushtarak Kosovë-Shqipëri-Kroaci
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, përmes një deklarate të përbashkët të nënshkruar më 18 mars në Tiranë, janë angazhuar të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake.
Deklarata parashikon zhvillimin dhe blerjen e përbashkët të kapaciteteve mbrojtëse, bashkëpunim industrial dhe investime në teknologji e inovacion për të ndërtuar një industri të qëndrueshme dhe moderne të mbrojtjes.
“Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:
– Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;
– Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;
– Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq.
Ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka quajtur një hapë të rëndësishëm strategjik blerjen e përbashkët të armëve nga Kosova, Shqipëria dhë Kroacia.
“Blerja e përbashkët e armëve amerikane nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia përbën një hap të rëndësishëm strategjik që tejkalon dimensionin thjesht ushtarak. Së pari, një qasje e tillë rrit fuqinë negociuese të vendeve në raport me prodhuesit dhe furnizuesit, duke mundësuar çmime më të favorshme, standardizim të pajisjeve dhe trajnimeve, si dhe lehtësim të ndërveprimit në operacione të përbashkëta. Së dyti, ajo dërgon një sinjal të qartë për kohezion rajonal dhe orientim të përbashkët drejt partnerëve strategjikë perëndimorë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.
Më tej, Rexhepi ka treguar se çfarë përfiton Kosova në këtë rast.
“Nga këndvështrimi i sigurisë, ky bashkëpunim forcon kapacitetet mbrojtëse, rrit gatishmërinë për reagim ndaj kërcënimeve të përbashkëta dhe minimizon fragmentimin teknologjik e logjistik. Për Kosovën, përfitimi është i dyfishtë: rritja e standardeve të mbrojtjes sipas modelit të NATO-s dhe thellimi i marrëdhënieve me aleatët strategjikë në rajon”, ka theksuar ai.
Në fund, ai ka nënvizuar se natyra e bashkëpunimit mes këtyre shteteve është mbrojtëse dhe ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit, jo nxitjen e tensioneve.
“Sa i përket perceptimit të Serbisë, është e pritshme që kjo lëvizje të shihet si pjesë e rivalitetit të natyrshëm ushtarak dhe si shenjë e forcimit të bllokut ushtarak pro-perëndimor në rajon. Megjithatë, natyra e bashkëpunimit është mbrojtëse dhe synon ruajtjen e stabilitetit, jo provokimin e tensioneve. Përfitimi afatgjatë i kësaj nisme është krijimi i një arkitekture më të qëndrueshme sigurie në Ballkan, e bazuar mbi partneritetin dhe besimin reciprok ndërmjet shteteve me vizion të përbashkët strategjik”, ka përfunduar Rexhepi për “Bota sot”.